Itali, Monti prezanton planin e shpëtimit

17/11/2011 13:50

Studentët italianë po protestojnë në të gjithë Italinë, teksa kryeministri Mario Monti prezanton planin e tij për shpëtimin e ekonomisë në Senat.

Teknokrati i caktuar po paraqet programin që pritet të përmbajë dy iniciativa, atë për rritjen ekonomike dhe atë të masave anti-krizë.

Italia është nën presion nga vendet e eurozonës për të shkurtuar borxhin publik prej 1.9 miliardë eurosh.

Zoti Monti ka deklaruar se është i bindur se qeveria e re do të restaurojë besimin e tregjeve tek ekonomia italiane.

“Kjo është qeveria e angazhimit kombëtar. Kjo do të thotë se ajo do të marrë përsipër detyrën për rivendosjen e marrëdhënieve civile dhe institucionale”, ka theksuar Monti.

“Nëse do të dështojmë, nëse nuk do të arrijmë reformat që duhen, atëherë do t’u nënshtrohemi të gjithë kushteve më të vështira”, ka shtuar kryeministri i ri.

Ai formoi kabinetin e tij, të përbërë nga përfaqësues të biznesit dhe ekspertë, pasi qeveria e qendrës së djathtë e Silvio Berlusconi-t ra javën e kaluar pas presioneve në tregje.

Të mërkurën, kostoja e huamarrjes së Italisë ra nën nivelin kritik prej 7 për qind, tek i cili ndodhen Greqia, Portugalia dhe Irlanda.

Këto tre vende janë detyruar të pranojnë ndihmën e FMN-së, pasi Banka Qendrore Evropiane ndërhyri dhe filloi të blinte eurobondet italiane.

Vendimi i zotit Monti për të menaxhuar personalisht portofolin e Ministrisë së Financave u mirëprit nga presidenti i eurozonës, Jean Claude Juncker.

“Zoti Monti është njeriu i duhur për këtë situatë. Implementimi i shpejtë i të gjitha masave të votuara nga Parlamenti italian duhet të jenë një prioritet për kthimin e vendit në rrugën e besueshmërisë politike”, deklaroi Juncker.

Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se do të takohet me zotin Monti sa më shpejt të jetë e mundur.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA