Qyteti ndryshon emrin, përqeshej prej “Ali G”

16/11/2011 19:30

Një qytet në Britaninë e Madhe ka vendosur të ndryshojë emrin e tij, pasi si shtëpia e komedianit të famshëm “Ali G”, Staines (Stejns) është shndërruar prej vitesh në qendër të batutave nga më të ndryshmet.

Pas një referendumi lokal, 45 mijë banorët votuan 2/3 për të ndryshuar emrin në “Staines upon Thames”, shtesë që i referohet lumit që e përshkron. Ndryshimi i shumëdebatueshëm u prit me kënaqësi nga biznesmenët vendas, të bindur se kështu do të jenë në gjendje të tërheqin shumë më tepër investitorë.

Kërkesa për ndryshimin e emrit u paraqit dhe u mbrojt nga kryetari i dhomës së biznesit. “Nuk ka dyshime që Ali G (Sacha Baron Cohen, emri i vërtetë), e vendosi Stejnsin në hartën e qyteteve të njohura, por vetëm për të gjitha arsyet më të gabuara. Qyteti është përqeshur ndër vite. Pavarësisht pozicionit të tij strategjik dhe vendosjes në një luginë të përshkruar nga një lumë, çmimi i tokës dhe pronave të paluajtshme vetëm sa pësoi rënie. Me Lojrat Olimpike që po trokasin në derë dhe aksesin tonë të thjeshtë në Londër, menduam se kishte ardhur koha që të bënim një përpjekje të koordinuar për të ndryshuar imazhin e qytetit”, deklaroi nismëtari i ndryshimit të emrit qindra-vjeçar të qytetit.

Top Channel