Çmim paqeje për Putinin?

16/11/2011 16:20

Vendimi për të nderuar me çmimin e paqes “Konfuci”, një ekuivalent kinez për Nobelin, kryeministrin rus, Vladimir Putin ka ngjallur debate të mëdha në Pekin.

Ministria e Kulturës lajmëroi ditën e martë se nuk do të lejojë mbajtjen e këtij çmimi për këtë vit, ndërsa shkarkoi komitetin përzgjedhës.

Megjithatë, njëri prej antarëve të komitetit, poeti Qiao Damo, deklaroi të mërkurën se ata janë të vendosur të shkojnë përpara me vendimin e tyre, edhe nëse çmimi nuk do të ketë një njohje zyrtare.

Sipas organizatorëve, Putin është zgjedhur si fitues për shkak të kundërshtimit të ashpër të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Libi. “Çmimi i paqes për vitin 2011 i takon qartësisht Putinit, pasi ai është personi që ka bërë më shumë gjatë vitit për të ruajtur planetin nga konfliktet e përgjakshme”, theksoi Qiao.

Në vazhdim të deklaratës, shkruhej se kontributi i Putinit për paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut ka nisur që në vitin 1999, me dhënien fund të Luftës së Çeçenisë (nëpërmjet një pushtimi), cilësi të evidentuara edhe në vitin 2008, në ndërhyrjen për “të drejtat e minoritetit rus” në Gjeorgji.

Çmimi i paqes “Konfuci” u themelua gjatë 2010, me mbështetjen e autoriteteve zyrtare, të irrituara nga nderimi me çmimin Nobel të disidentit kinez Liu Xiaobo, i cili mbahet në burg që prej vitit 2008.

Nëse do të akordohet, Putin do të jetë fituesi i dytë pas politikanit tajvanez, Lien Chan. Në të shkuarën, ai është kritikuar shpesh nga autoriteti ndërkombëtar për qëndrimin agresiv të mbajtur nga Moska zyrtare për shumë çështje, gjatë periudhës së tij si president (2001-2008).

Ish-punonjës i shërbimeve sekrete, Putin është një praktikues i aftë i arteve marciale dhe një qitës i shkëlqyer.

Top Channel