Gratë, të parat që do të shkelin në Mars

15/11/2011 16:40

Do të jenë gratë ato që do të shkelin të parat në sipërfaqen e Marsit, të paktën nëse kjo arritje do të realizohet për herë të parë nga amerikanët.

Vendimi duket se është marrë në një mbledhje të fundit të “NASA”-s, ku është biseduar edhe një herë mbi projektet ambicioze të zbarkimi në “Planetin e Kuq”.

Një vendim i tillë duhet të shpaguajë faktin që në vitin 1969, ishte një mashkull, Neil Armstrong, ai që shkeli për herë të parë në sipërfaqen e Hënës, trupi i vetëm qiellor i vizituar deri më sot nga njerëzimi.

Përpara se një anije kozmike të mbërrijë në Mars, fillimisht pritet që të realizohen misione për në dy hënat e planetit, që duket se nga pikëpamja shkencore janë shumë më interesante dhe të panjohura për ne. Megjithatë, me vështirësitë që ka një nismë e tillë, pritet që misioni të kërkojë edhe dy dekada kohë që të realizohet.

Marsi është planeti më i afërt me Tokën. Megjithatë, ai ndodhet 150 herë më larg se Hëna. Megjithatë, nuk është e sigurt që do të jenë gratë që do të shkelin të parat në Mars, për faktin e thjeshtë se Rusia është duke zhvilluar një tjetër program hapësinor, aktualisht më i avancuar, që pritet të dërgojë njeriun në planetin në fjalë. Midis gjashtë austronautëve që po trajnohen, nuk ekziston asnjë femër.

Top Channel