Mediat italiane mirëpresin Montin

14/11/2011 15:30

Shtypi italian i dedikoi një pritje të ngrohtë Kryeministrit të ri Mario Montit, i cili të hënën nisi menjëherë punën për lehtësimin e borxhit italian, 24 orë pasi u dekretua në postin më të lartë ekzekutiv nga presidenti Napolitano.

Disa të përditshme veçuan deklaratën e kryer nga 68-vjeçari pak pas emërimit të tij, në të cilën ai premton se “Italia do të ngrihet përsëri midis vendeve më të begata europiane”.

Në një editorial të faqes së parë, kryeredaktori i “La Repubblica”-s, Ezio Mauro, shprehte besimin se presidenti Napolitano ka arritur të gjejë njeriun e duhur për të kryer punën që i nevojitet.

Sipas Mauros, “me Montin, politika italiane do të kryejë një kthesë në seriozitetin e saj, duke lënë pas papërgjegjshmërinë e treguar gjatë epokës Berlusconi”.

”Il Sole 24 Ore” veçon se misioni kryesor i Montit është “të rikthejë besimin e botës tek Italia”. Sipas gazetës, vendi i ka të gjitha mundësitë që të rikthehet të konsiderohet si një prej fuqive më të mëdha financiare në botë.

E përditshmja me tirazhin më të madh në Itali, “Corriere della Sera”, veçonte deklaratën në të cilën Monti shprehej se: “Reformat duhet të kryehen në një mënyrë sa më pak të dhimbshme për popullin italian, në të njëjtën kohë që qeveria duhet të fokusohet për të gjetur stimuj për të mundësuar rritjen ekonomike”.

”Rritje dhe drejtësi”, titulli i “La Stampas”, një citim i fjalëve të Kryeministrit të ri. i veçantë fakti që edhe mediat e kontrolluara nga ish-Kryeminsitri Berlusconi, i kanë dhënë një mirëseardhje të ngrohtë Montit. Në edicionet e lajmeve, rrjeti “Mediaset” e ka konsideruar Kryeministrin e ri si njeriun e duhur për të përmbushur detyrën në një situatë të vështirë për vendin.

Media “mallkon” Berluskonin

“The Independent” shkruan se “Që tani na ka marrë malli për të”. Melankonia është thelluar për faktin se shou-man-i ka gjasa të zëvendësohet nga Mario Monti, një figurë që rivalizon vetëm Romano Prodin për nga mërzitshmeria.

Berluksoni hyri në politikë për të shpëtuar kombin (nëse i beson mbështetësve të tij) dhe për të mbrojtur pronat (nëse preferoni kundërshtarët). Ai e arriti këtë të fundit, por në kurriz të të parës. Megjithatë gjykimi i përgjithshëm ka pak gjasa të ndryshojë për Berluskonin.

Ai kurrë se ka pasur idenë se c’të bënte me pushtetin. Ai ishte i keq për Italinë, i keq për Evropën. Që tashmë më në fund iu hoq pushteti nga duart është një lehtësim, komenton “The Independent” e Londrës.

“The Guardian” thekson se “Epoka e Berluskonit filloi 17 vjet më parë me Forza Italia, një parti që mori emrin e një thirrje të tifozerisë së futbollit dhe përfundoi me mjegullën kolorite të mbrëmjeve bung-bunga dhe prostitucionin e pretenduar me të reja.

Me gjenialitetin e tij për komunikim dhe gatishmërinë për të bërë premtime ekstravagante të pabaza, Berluskoni siguroi për veten e vet një vend në histori si udhëheqësi që ka shërbyer më gjatë në krye të Italisë që nga diktatori fashist Benito Musolini.
 
“Ai shumë nga bashkëkohësit e vet i la pas. Kur është bërë kryeministër për herë të parë, në Britani ishte kryeministër Xhon Mejxher, ndërsa Bill Klinton ishte President i Amerikës”, shkruan “The Guardian”.
“The Telegraph” shkruan se heqja qafe e Berluksonit nuk do i zgjidhë brenda natës problemet e Italisë, vecanërisht ato ekonomike.

“Por të paktën është fillimi. Italia nuk do të jetë e njëjtë pa Silvio Berluskonin. Por më në fund, ajo do të fillojë të rindërtojë reputacionin e saj të dërmuar në sytë e botës”, shkruan “Telegraph” e së dielës .

Në shkrimin “Bye-Bye Bunga”, “The Sunday Times” shkruan se “me një pasuri personale të vlerësuar në 4.8 miliardë stërlina, me aftësinë mbijetuese të një maceje dhe një perandori mediatike e cila mbulon prapësitë e tij, ai ishte mjeshtër i populizimit politik latin që rivalizoi madje edhe Benito Musolinin në popozitetin e tij.

“Megjithatë është herët të fshish Berluskonin ose trashëgiminë e tij tërësisht. Është e rëndësishme të kujtojmë se ai nuk u largua nga skena, nga elektorati. A do te rilindë tashmë miti se pushteti “ju vodh” Berluksonit?”, komenton “The Sunday Times”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA