Vajza që gjeti dashurinë në Spanjë

09/11/2011 19:00

Historia e rrallë e një vajze shqiptare, e cila gjeti dashurinë e jetës së saj ndërsa shkoi për disa ditë pushime në Spanjë, u vendos në fokusin e emisionit të Pasditen ditën e mërkurë, në ekranin e “Top Channel”.

Të njohur në “Facebook”, Ela dhe Luisi, një djalë nga Kuba, janë nga ato çifte që mund të thuhet plotësisht se ka qenë dora e fatit që i ka vendosur bashkë. Njëkohësisht, kjo është historia e një balerini profesionist, e një prej tyre njerëzve që kërcimin e kanë në gjak dhe e një vajze që i besoi përrallës dhe ëndrrave të dashurisë.

Askush nuk i besoi në fillim, por sot, një vit e gjysmë më pas, ata janë transferuar nga Spanja në Shqipëri, ku janë zhvendosur për të formuar jetën e tyre si të martuar.

“Nuk ishte dashuri me shikim të parë. Në fillim ishim miq. Në fakt u njohëm rastësisht nga disa miq spanjollë. Unë e pashë si një djalë tërheqës, balerin dhe i dërgova një kërkesë për miq. Nuk mendoja se do të më pranonte, por ja që më pranoi dhe aty nisëm të flisnim nga pak”, shprehet Ela.

Historia e saj vazhdoi më pas me një udhëtim në Spanjë. “Shkova për pushime dhe për të parë terrenin për një master në Barcelonë”, shprehet e diplomuara në Fakultetin e Juridikut në Tiranë. “Një prej mbrëmjeve e vizitova pa i thënë atje ku punonte dhe kështu u njohëm. Emocionet ishin shumë të forta që në fillim. Shkova disa herë rresht në atë disko dhe kështu u miqësuam. Megjithatë, ndërsa isha unë ajo që dëshiroja të bëheshim miq, ishte ai që këmbënguli për t’u bërë të dashur”.

Ndonëse familja e Elës në fillim u tregua mosbesuese ndaj lidhjes me djalin kubanez, një vit e gjysmë kohë që prej atëherë, i gjen të gjithë të lumtur për këtë marrëdhënie. “Ela më kishte thënë gjithmonë që dëshironte të kthehej në Shqipëri. Për mua nuk ka shumë rëndësi ku jetoj përsa kohë jetoj me të”, shprehet i dashuruar Luisi, në gjendje që të flasë tashmë disa fjalë shqip.

“Dasmat shqiptare janë të ndryshme nga të gjitha dasmat në botë, por jo për këtë më pak të veçanta”, shton kubanezi, pak në “siklet” për mënyrën se si do të kërcejë këngët popullore shqiptare, por pafundësisht i dhënë pas asaj që është një prej atyre historive të mrekullueshme të dashurisë.

Top Channel