Francezët ideuan një kopie identike të Parisit

09/11/2011 20:40

Francezët menduan të ndërtonin pranë Parisit një qendër të kopiuar që të ishte identike me qendrën e vërtetë të kryeqytetit, në atë që ishte një projekt “fantastiko-shkencor” i vitit 1918.

E përditshmja “Le Figaro” publikoi ditën e mërkurë një plan të detajuar, i cili do të çonte në ngritjen e bulevardit “Champs-Elysse”, Harkut të Triumfit dhe të gjithë banesave përkrah në mënyrë identike me Parisin e asaj kohe, për të ngatërruar bombarduesit gjermanë, nëse një luftë do të ndodhte.

”Mendja e ndritur” që dha këtë ide u risoll në qendër të vëmendjes në prag të festimeve për 93-vjetorin e armëpushimit që solli fundin e Luftës së Parë Botërore.

Pas “gërmimit” nëpër arkiva të kohës, u zbulua edhe një relacion i autoriteve ushtarake, që jepnin arsye përse gjermanët do të ngatërroheshin me të vërtetë dhe do të bombardonin qytetit e rremë, nëse të dy vendet do të përfshiheshin në një luftë të dytë.

Midis strukturave që do të kopioheshin, përveç bulevardit madhështor të “Champs-Elysse” apo “Harkut të Triumfit”, do të figuronte edhe stacioni i trenit “Gare de Nord” dhe rrugë historike si “Lafayette” apo “Saint Honore”.

Duhet kujtuar se në vitin 1918, radari nuk ishte shpikur ende dhe aviacioni ishte në fillimet e tij. Kopia e rremë e Parisit do të ndërtohej në periferinë që sot quhet “Maisons-Laffite”, pranë lumit të Senës, për ta bërë edhe më reale replikën.

Projekti nuk u zbatua kurrë, edhe pse gjithçka ishte bërë gati. Nuk dihet se kush prej burrave të shtetit të kohës e kuptoi se ishte një plan qesharak.

Top Channel