97-vjeçari vendos të dalë në pension

09/11/2011 17:10

Mund të kishte 30 vjet që shijonte një jetë të qetë nëpërmjet pensionit të tij, por një punonjës në Britaninë e Madhe vendosi të tërhiqej nga puna vetëm në moshën 97-vjeçare.

Ngjarja e rrallë fitoi vëmendje të madhe mediatike gjatë ditës së mërkurë. Shitës në një supermarket, Syd Prior dëshiron që më në fund të kalojë pak kohë me miqtë dhe familjen. Gjëja e parë që dëshiron të bëjë është të shkojë në teatër, pasion që ka ndërmend ta ndjekë për shumë kohë.

97-vjeçari, i cili luftoi gjatë Luftës së Dytë Botërore me forcat britanike dhe nisi të punonte që kur ishte 14 vjeç, u transferua në supermarketin e ndodhur në Uimbëlldon dy dekada më parë, kur mbushi 76 vjeç.

”Puna me njerëz të të gjitha moshave është ajo që më ka mbajtur të ri. Mendoj se ata kanë mësuar hiletë e zanatit prej meje, ndërsa unë kam mbetur i ri prej tyre”, deklaroi Syd.

Një këmbësor në një nga divizionet e pushkatarëve të Mbretëreshës, Prior shërbeu për gjashtë vjet në ushtrinë britanike, në Afrikën e Veriut dhe Itali, nga viti 1939-45.

Punonjësi më i vjetër në Angli tashmë është një 88-vjeçar, në Bristol.

Top Channel