Asteroidi gjigant do kalojë pranë Tokës

08/11/2011 00:00

Një asteroid i gjerë 400 metra do të kalojë pranë Tokës të martën, më afër se distanca që ndan planetin tonë nga Hëna.

Asteroidi nuk përbën rrezik për Tokën dhe do të jetë i padukshëm për syrin e njeriut.

I njohur me emrin “2005 YU55”, objekti do të kalojë pranë Tokës në një distancë prej 325 mijë kilometrash, në 23:28.

Ky është asteroidi që kalon më afër në 200 vitet e fundit. Ai është edhe objekti më i gjerë lëvizës i hapësirës që Toka ka parë që prej vitit 1976, ndërkohë që një tjetër mund të kalojë në vitin 2028.

“Ky është afrimi më i madh i një asteroid kaq i gjerë që ne kemi parë ndonjëherë”, ka deklaruar eksperti i NASA-s, Lance Benner.

Por ai ka nënvizuar se nuk ka shanse që objekti të përplaset me Tokën, sado pranë që t’i kalojë.

Megjithatë, ngjarja u jep astronomëve një mundësi të rrallë për të studiuar në detaj një asteroid të këtij përmasave.

Në vecanti, dy radio-teleskopë, Goldstone Observatory në SHBA dhe Arecibo Observatory në Puerto Riko, do të gjurmojnë kalimin e tij në mënyrë që të zbulojnë përbërjen dhe formën e objektit.

Top Channel