Të lindurit në gusht, më të pasuksesshmit

01/11/2011 16:40

Fëmijët e lindur në muajin gusht janë ata që vuajnë më shumë talljet dhe ngacmimet në shkollat fillore dhe ato të mesme, informoi një studim i kryer nga një revistë britanike.

Përgjithësisht, fëmijët e gushtit janë më të vegjlit nëpër klasa, kjo pasi shkolla nis gjithmonë në muajin shtator. Duke marrë në pyetje disa qindra studentë, u pa se këta fëmijë janë 12% më të prekur nga talljet se sa të lindurit në tetor, që zakonisht nisin shkollën një muaj përpara se të bëjnë shtatë vjeç.

Duke e shtyrë sondazhin në mosha më të mëdha, fëmijët e gushtit janë 20% më të prirur se sa të tjerët për të braktisur shkollën deri në moshën 16-vjeçare dhe 20% më pak prej tyre arrin të hyjë në një universitet prestigjioz.

Si rezultat, në moshën e adoleshencës, kjo kategori është më e prirur për të rënë pre e veseve si duhani, alkooli apo format e lehta të substancave narkotike.

Ndonëse në moshë të madhe quajmë bashkëmoshatarë edhe njerëz që kanë një diferencë prej disa vitesh nga mosha jonë, midis fëmijëve duket se ndryshimi qoftë vetëm në disa muaj mund të jetë vendimtar në formimin e tyre në shkollë.

Top Channel