Austri, himni mund të ndryshojë, diskriminon femrat

01/11/2011 17:15

Një grupim për të drejtat e barabarta mes gjinive mund të ndryshojë himnin kombëtar austriak, në atë që është shndërruar menjehërë në një prej çështjeve më të debatuara në vendin europian.

Sipas grupimit, disa thënie të himnit që këndohet prej 70 vitesh promovojnë diskriminimin seksual. Kështu, në një kërkesë drejtuar Vienës zyrtare, pretendohet që fraza “djem të lavdishëm të kombit”, të shndërrohet në “djem dhe vajza”. Njëkohësisht, strofa që hapet me “korin vëllazëror”, duhet të ndryshojë në “kori popullor”.

Himni aktual i Austrisë është shkruar nga shkrimtarja Paula von Preradovic dhe këndohet që prej vitit 1947.

Duke ironizuar kërkesën e feministëve, lideri i “Partisë së Lirisë”, deklaroi se “nëse vazhdohet kështu, së shpejti shqiponjën që kemi si simbol duhet ta veshim me minifund dhe t’i lyejmë buzët me të kuq”.

Më parë gjatë vitit, një lëvizje e ngjashme ndodhi edhe në Peru, me disa grupime që kërkuan ndryshimin e himnit, pasi fjalët e tij të bënin “pesimist”.

Top Channel