Revista greke krijon incident diplomatik

28/10/2011 12:30

Një revistë greke ka krijuar një incident diplomatik ditën e shtunë, ndërsa doli në shtyp me një kopertinë në të cilën Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ishte portretizuar si një oficere naziste.

Jo vetëm kaq, por revista ekspozoi posterin e saj me këtë kopertinë në disa prej zonave më të dukshme të qëndrave më të mëdha të banuara. Ambasada Gjermane në Athinë ka reaguar duke e cilësuar gjestin si “të turpshëm”, ndërsa pritet një reagim edhe nga Ministria e Jashtme.

Revista, në brendësinë e saj, pretendon se plani që iu imponua Greqisë nga Merkel, është më i keq se pushtimi që gjermanët i bënë vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas artikullit, falja e gjysmës së borxheve nuk do të sjellë asnjë ndryshim, duke qenë se “Greqia nuk do të ishte asnjëherë në gjendje që t’i paguante gjithsesi”.

Pranimi i planit për shkurtime masive në administratë, në paga dhe pensione, bashkuar me detyrimin për të dhënë me koncension shumë prej pasurive publike, konsiderohet prej revistës si një “pushtim i dytë i vendit”.

Ajo gjithashtu lëshon një sulm të ashpër ndaj Kryeministrit Papandreu, të cilin e ironizon për deklaratën e dhënë pas marrëveshjes së arritur ditën e shtunë, kur ai tha publikisht: “Shpëtuam”. Në një tjetër karikaturë, Kryeministri shfaqet duke përshëndetur Merkelin me “Heil Hitler”.

Sipas revistës, “Papandreu dhe bijtë e tij kishin shpëtuar që kur lindën, por ata që rënohen janë brezat e ardhshëm të grekëve, që nuk kanë asnjë faj për shpenzimet e jashtëzakonshme të politikanëve të paaftë dhe të korruptuar”.

Top Channel