Një sulm i kryer nga avionë të telekomanduar amerikanë gjatë së enjtes shkaktoi vdekjen e dy prej komandantëve me më shumë ndikim në grupet talebane në Pakistan, lajmëruan burime zyrtare.
Midis katër personave të vrarë nga predha që goditi një makinë në lëvizje janë lideri i një prej fiseve më të mëdha që sponsorizon terrorizmin, Maulvi Nazir dhe vëllai i tij.
Forcat e Nazir besohet se i kanë shkaktuar viktima të shumta koalicionit të NATO-s në Afganistan nëpërmjet sulmeve vetvrasëse ose pritave në rrugë kryesore.
Sipas ekspertëve, ky sulm i telekomanduar është një shenjë që inteligjenca amerikane ka depërtuar deri pranë lidhjeve familjare të kupolës drejtuese të talebanëve.
Burimet vendase lajmëruan se militantët menjëherë bllokuan zonën në vijim të sulmit. Pavarësisht operacioneve të vazhdueshme ushtarake në krahinën e Vaziristanit jugor, Pakistan vazhdon të mos ketë ndikim në zonat e vetqeverisura tribale.
Më parë gjatë muajit, organizatat terroriste morrën një tjetër goditje serioze, me drejtuesin e filialit të Al-Kaedës, organizatës “Haqqani”, i cili u vra në një sulm të ngjashëm në Vaziristanin e veriut.
Top Channel