Parkinsoni, sëmundje jo vetëm e moshës së tretë

26/10/2011 19:10

Parkinsoni, një prej sëmundjeve më të përhapura neurologjike në botë, u vendos në qendër të vëmendjes së emisionit të Pasdites në “Top Channel”, ku në studio ishte i ftuar neurologu Agron Islamaj. Një sëmundje që nuk bën dallim midis njerëzve të famshëm e të zakonshëm, parkinsoni shfaqet çdo vit në 50 mijë persona, ndërsa më shumë se një milionë të tjerë duhet të jetojnë me këtë vuajtje çdo ditë.

“Dietat e këqija, goditjet në kokë, hemoragjitë dhe preparatet mjekësore, si aloperidoli, mund të jenë të gjitha arsye të shfaqjes së sëmundjes në një moshë të re. Megjithatë, është e qartë që shumica e këtyre rasteve regjistrohen në moshën e ashtuquajtur të tretë, për shkaqe vetëm fiziologike. Nëse në moshën e re kemi 400 mijë qeliza në bërthamën e trurit, në moshën 60-vjeçare numri është reduktuar në 25 mijë. Parkinsoni është një reduktim i mëtejshëm i lëndës së quajtur dopaminë”, shpjegon Islamaj.

Duke renditur arsyet që çojnë në krijimin e parkinsonit, neurologu shton: “Traumat në kokë, infeksione të sistemit nervor, madje edhe ndonjë grip që na duket i padëmshëm mund të favorizojnë kushtet që çojnë në krijimin e sëmundjes. Kjo është një sëmundje që shfaqet dy herë më shumë tek meshkujt. Alkooli, duhani dhe punët më të rënda fizike që karakterizojnë seksin mashkull janë arsyet kryesore për këtë ndryshim”.

Një sëmundje që shoqërohet me depresion dhe halucionacione, turbullime nervore dhe fizike, ajo është e pakurueshme, por mund të stabilizohet dhe të vendoset në kontroll. “Parkinsoni është një sëmundje që ka tre faza. E zbuluar në fazën e parë, ajo mund të kontrollohet lehtësisht nëpërmjet ilaçeve. I sëmuri mund të stabilizohet dhe madje edhe të përmirësohet, ndryshe nga sa u shpreh edhe Zonja në sekuencë”, tregoi mjeku, duke iu referuar Zonjës Sadete Shkodra, e cila dëshmoi vuajtjen e saj në një prej klipeve të emisionit. “Edhe në fazën e mesme është një sëmundje që mund të trajtohet, ndërsa në atë të rëndën është shumë më e vështirë pastaj”.

Top Channel