Met Bega, në betejën kundër parkinsonit

26/10/2011 19:20

Një prej aktorëve më të mëdhenj të humorit shqiptar, Met Bega, është përfshirë në betejën më të vështirë të jetës së tij, atë kundër parkinsonit. Një betejë që e përjeton gjithsesi me optimizëm, ashtu si të gjithë jetën e tij të deritanishme.

Në një intervistë eksluzive për emisionin e Pasdites, ndonëse e ka të vështirë të artikulojë, Bega arrin gjithsesi të shfaqet i gjallë dhe pavarësisht problemeve të shfaqura dhjetë vjet më parë, vazhdon të bëjë plane.

“Dua të bëj edhe një film pa zë, ashtu si Ben Hilli”, thotë aktori i merituar. “Njerëzit vazhdojnë të më duan dhe sa herë që dal në rrugë më përqafojnë, bëjnë foto dhe shprehin keqardhjen për gjendjen time. Kaloj ditët duke parë videokasetat e mia dhe më bëjnë të qaj”.

Ndërkohë, në studio, vajza e aktorit, Matilda Bega dhe njëkohësisht edhe një organizatore në programin “Fiks Fare”, dëshmoi se si preku gradualisht sëmundja babain e saj.

“Simptomat e para i ka patur rreth vitit 2000. Në fillim iu bllokua njëri krah dhe menduam se ishte diçka e kraut ose kockave, nuk e kuptonin nga i vinte. Më pas i kapëm që ishin simptomat e para të parkinsonit. U befasuam pasi nuk e kishim në trashëgimi, por diagnoza dola e njëjtë në të gjithë vendet që shkuam, Meti vuante nga parkinsoni”.

Megjithatë, sëmundja nuk mundi dot ta vendoste përfund artistin. “Në fillim ishte optimist, nuk e njihnim shumë si sëmundje dhe ato që lexoja nuk ia thoja. Në kohët e para vazhdoi të dilte në skenë, dorën e mbante në xhep, nuk kuptohej fare. Bëri Met Bega shoë, variete  në pallatin e kongreseve dhe ishte dalja e fundit në publik, më tej u rëndua edhe më shumë”, rrëfen e bija.

“Në 10-11 vjet, sëmundja ka ecur dhe në 3-4 vitet e fundit është rënduar shumë. Flet me vështirësi dhe duhet kohë ta kuptosh. Në fillim dilte, takonte miqtë, më pas jeta ecën, miqtë kanë problemet e tyre, sëmundja sëmundje, të jep problem me të folurin dhe nuk kuptohet kur flet. Megjithatë, e mban vetëm optimizmi, thotë çdo ditë s’kam asgjë, jam shumë mirë. Dhe pavarësisht sëmundjes, mbetet aktiv, del çdo ditë dhe bën plane të ndryshme”.

Top Channel