NATO: Fund misioni në Libi më 31 tetor

22/10/2011 04:00

NATO do t’i japë fund misionit të saj në Libi më datë 31 tetor. Kështu njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Anders Fogh Rasmusen.

Rasmusen tha pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të NATO-s në Bruksel se bëhet fjalë për një vendim paraprak i arritur pas një marrëveshje mes vendeve anëtare. Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të vëzhgojë situatën në Libi dhe do të ndërhyjë nëse është nevoja, në zbatim të rezolutës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e civilëve.

Vendimi i NATO-s për dhënien fund të misionit në Libi, mbërrin pak orë pas vrasjes së ish-liderit libian, Muamar Gadafi dhe rënies së fortesës së tij të fundit, Sirtes. Tashmë që i gjithë vendi ndodhet nën kontrollin e Këshillit të Tranzicionit, NATO përfundon detyrën e tij, pasi sulmet nga ajri të Aleancës nuk kanë më objektiv.

Top Channel