Withers, tre vitet e ambasadorit

05/10/2011 21:40

John Withers ishte ambasadori i dymbëdhjetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitet ’20. Sot cuditërisht në faqen e ambasadës nuk ka asnjë informacion për të.

Por një biografi e shkurtër e tij gjendet ende në faqen e Departamentit amerikan të Shtetit. John Withers, që karrierën në shërbimin e jashtëm e filloi në vitin 1984, u konfirmua nga Senati si ambasador në Shqipëri më 28 qershor 2007.

Ai qëndroi në Tiranë nga 25 korriku i vitit 2007 deri më 13 gusht 2010. Gjatë kësaj kohe në Shqipëri ndodhën shumë ngjarje, që provokuan ndërhyrjet e shpeshta të ambasadorit Withers.

Se cfarë mendonte ai për politikën shqiptare dhe për ngjarjet që ai përjetoi këtu, kjo del nga publikimi i kabllogrameve nga Wikileaks.

Një moment i fortë ishte shpërthimi i Gërdecit, një muaj përpara se Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësim në NATO.

Vendimi i Edi Ramës për të mos e përdorur këtë ngjarje për mbajtjen e protestave anti-qevritare, u vlerësua nga ambasadori si një qëndrim prej burri shteti.

Por në të njëjtën kohë, ambasadori Withers kërkoi hetim të plotë të ngjarjeve dhe vënien e përgjegjësve, edhe të atyre me imunitet, përballë përgjegjësisë.

Një përplasje e fortë mes ambasadorit Withers dhe kryeministrit Berisha ndodhi 3 muaj më vonë, në rastin kur prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu dhe kur parlamenti e vonoi atë për disa javë. Lufta e ftohtë kishte nisur dhe u thellua pak më vonë në përpjekjen për të implikuar ambasadorin Withers si person në dije për tregtinë me municionet kineze të Gërdecit, ndonëse akuza u bë fillimisht nga atasheu ushtarak i SHBA-së në Shqipëri, Larry Harrison. Ambasadori Withers u detyrua t’i hedhë poshtë akuzat përpara një komisioni të Kongresit amerikan, që e shpalli atë të pafajshëm.

Pas këtij momenti ai nuk la rast pa përmendur çështjen e imunitetit në Shqipëri, pas të cilit ishin fshehur, sipas tij, zyrtarë të lartë.

E bëri këtë qoftë kur u mbyll çështja e korrupsionit të prezumuar me rrugën Durrës-Kukës, në qendër të së cilës ishte vënë ministri Lulzim Basha, por sidomos në fund të mandatit të tij, në lidhje me drejtësinë e munguar në procesin “Gërdeci”.

Sipas analistëve, ai po kërkonte në mënyrë të qartë “kokën” e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Por ai nuk mungoi të stigmatojë vetë kryeministrin Berisha, kur më 22 dhjetor 2008, pra disa kohë pas Gërdecit dhe pas dëshmisë në Kongresin amerikan, tregoi përallën e një krimbi të pangopur.

Ishte koha e ligjit të lustracionit, që u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Vitin e fundit të mandatit të tij ndërhyrjet u bënë gjithmonë e më të forta, të drejtpërdrejta dhe në kundërshtim të hapur me qëndrimet e qeverisë.

Në mars iu kundërvu hapur ndryshimeve të shumëdebatuara të ligjit për SHISH. Madje, në një intervistë fundit për “Top Story” përpara largimit nga Shqipëria, zbuloi se në momentin e anëtarësimit në NATO Shqipëria kishte nënshkruar një moratorium trevjecar për ndryshimet ligjore për shërbimet sekrete.

Po ashtu ai ngriti zërin kundër rrëzimit të kandidaturave të presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke i cilësuar votimet “politike”.

Përmendi nominalisht Kristaq Trajën, ish-gjyqtar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Vengjel Kostën. Denoncoi presionin politik mbi gjyqësor dhe mbi media.

Disa nga kabllogramet dërguar Departamentit amerikan të Shtetit përmbajnë portretizime fshikulluese për disa prej politikanëve shqiptarë, madje disa cilësohen si të lidhur me krimin dhe trafiqet.

Kryeministri Sali Berisha ka mbështetur vazhdimisht idenë se ambasadori Withers ka ndjekur një politikë personale.

Madje, më 27 maj 2010 ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta u ankua me anë të një letre dërguar Departamentit amerikan të Shtetit.

Natyrisht, Departamenti nuk e “shiti” diplomatin e vet dhe ndihmës sekretari Philip Gordon, në emër edhe të sekretares Clinton, kujtoi rolin që ambasadori kishte dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Por së fundi, në një intervistë dhënë pas publikimeve të Wikileaks, kryeministri Berisha tha se ai vetë ia ka bërë të qarta qëndrimet e tij dhe të qeverisë eprorëve të ambasadorit Withers.

Në këtë intervistë kryeministri pohoi se ambasadori Withers mendonte se ishte qeveria shqiptare ajo që e kishte përfshirë në cështjen e municioneve kineze. Por kryeministri tha se kjo ishte një përshtypje e gabuar, pasi ai nuk besonte se  ambasadori kishte dijeni për këtë.

Pas letrës së Departamentit amerikan të Shtetit që merrte në mbrojtje ambasadorin Withers, u duk se Uashingtoni nuk do të ndryshonte një presje në qëndrimin e tij ndaj Tiranës, edhe pas largimit të ambasadorit Withers.

Por shumë analistë kanë vërejtur tashmë një thyerje, në qëndrimet që po mban tani, ambasadori i ri Alexander Arvizu.

Akuzave të bëra ndaj tij nga eksponentë të qeverisë shqiptare, zoti Withers iu përgjigj të mërkurën përmes një letre drejtuar popullit shqiptar

Top Channel