Hand: Shqipëria mund të bënte më shumë

05/10/2011 19:10

Njëzet vjet pas rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, një prej anëtarëve të delegacionit të parë zyrtar nga Shtetet e Bashkuara që shkoi në Shqipëri në prag të vendosjes së marrëdhënieve, dhe që ka vëzhguar më pas pothuajse gjithë zgjedhjet në Shqipëri, thotë se vendi ka bërë përparime shumë të mëdha, por mundësitë i ka patur për shumë më tepër.

Bob Hand, këshilltar politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, thotë se e kaluara nuk mund të përdoret më si justifikim se përse Shqipëria nuk mund të përparojë më shpejt.

“Në këtë 20 vjeçar që Shqipëria u bë demokraci pluraliste është formuar një brez i ri dhe e kaluara nuk mund të përdoret më si justifikim se përse vendi nuk mund të ecë më shumë. Shqipëria mund të ecë shumë më shpejt përpara”, deklaron Hand.

“Nuk ka më konflikte rajonale si në vitet ’90, periudha komuniste ka mbetur shumë pas dhe ka ardhur koha që vendi të reflektojë dhe të përparojë me shpejtësi për zgjedhjet dhe aspektet e tjera të demokracisë”, thekson ai.

Zoti Hand vlerëson se në 20 vitet e fundit është bërë shumë punë për përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore, por ato janë të pamjaftueshme.

“Më duhet të them se 20 vjet janë një kohë e gjatë dhe përmirësimet mund të ishin shumë më të mëdha. Vende të tjera kanë bërë përmirësime shumë më të mëdha brenda 10 vjetësh, se sa ka bërë Shqipëria për 20 vjet përsa u përket zgjedhjeve”, shprehet Hand.

“Në vitin 2001 unë sugjerova që në zgjedhjet parlamentare të mund të merrnin pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë. Vende të tjera, edhe ato që kanë kaluar rishtazi në demokraci, e kanë bërë këtë pa rrezikuar procesin. Por tani, 10 vjet më pas, Shqipëria nuk është ende gati dhe i duhet të përqëndrohet në sistemin e numërimit të votave duke i monitoruar ato me video në mënyrë që të ruajë integritetin e procesit”, shton ai.

Top Channel