Roberto Mancini, trajneri i Manchester City, ka theksuar se Carlos Tevez i ka mbyllur hesapet me skuadrën pasi sulmuesi nuk pranoi të hynte në fushën e lojës kur trajneri italian i kërkoi të bëhej gati.
Argjentinasi tha JO kur trajneri i tha të ngrihej për të bërë nxemjen kur anglezët gjendeshin në disavantazhin e dy golave në ndeshjen e djeshme ndaj Bayern Munchen, takim i vlefshëm për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.
“Ai i ka mbyllur hesapet. Nuk pranoi të hynte në fushë kur unë i thashë ta bënte këtë gjë. Është e papranueshme dhe Tevez nuk do të luajë më kurrë sa unë të jem trajneri i City-t. Ditët e ardhshme do të flas me presidentin. Nuk dua që kjo situatë të përsëritet”, u shpreh Mancini pas humbjes 2-0 në Allianz Arena.
“Asnjë lojtar i Milan, Bayern Munchen apo Manchester United nuk do ta bënte këtë gjë. Një lojtar i një klubi të madh nuk mund të refuzojë të ndihmojë shokët e tij të ekipit, aq më tepër në një ndeshje të rëndësishme si kjo ndaj Bayern”, shtoi tekniku italian.
Tevez u mërzit për faktin se Mancini zëvendësoi sulmuesin Dzeko me mesfushorin shkatërrues De Jong.
“Tevez do të ishte zëvendësimi i dytë dhe këto gjëra i vendos unë. Nëse një lojtar që fiton aq shumë para nuk pranon të luajë në një kompeticion si Champions, atëherë ai nuk mund të luajë më për këtë ekip”, përfundoi i nervozuar Mancini.
Tevez: Nuk refuzova të luaja
Carlos Tevez publikoi një komunikatë ku dha variantin e tij për atë që ndodhi në ndeshjen Bayern Munchen-Manchester City.
Sulmuesi argjentinas theksoi se ai nuk ka refuzuar për asnjë moment të futej në lojë.
“Doja t’i kërkoja falje të gjithë tifozëve të Manchester City për keqkuptimin që ndodhi në Mynih. Ata e dinë që unë kam dhënë gjithmonë 100% kur kam qenë në fushën e lojës. Unë bëra nxemjen dhe isha gati për të luajtur, por ky nuk është momenti që unë të sqaroj se përse nuk u futa në lojë. Dua të theksoj se unë për asnjë moment nuk refuzova të ndihmoja shokët e ekipit. Kishte pak konfuzion në stol dhe besoj se qëndrimi im është keqkuptuar. Në të ardhmen jam në dispozicion për të luajtur kur të jetë e nevojshme”, lexohet në komunikatën e Tevez.
Top Channel