Bajerni i Mynihut vijon serinë e fitoreve në Bundesligën gjermane.
Këtë radhë skuadra bavareze mundi rivalët e Bajer Leverkusen me rezultatin e pastër 3-0. Të besuarit e Jup Hejnkes e siguruan fitoren që në pjesën e parë, të cilën e fituan me rezultatin 2-0.
Myler shënoi golin e parë për Bajernin e Mynihut që në minutën e 5 të takimit. Kaluan vetëm pak çaste dhe bavarezët shënuan më vonë dhe këtë radhë me Van Bujten që ekzekutoi në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi.
Në pjesën e dytë, Bajerni në pjesën më të madhe të kohës administroi avantazhin e krijuar, por në minutat shtesë të takimit Roben vulosi përfundimisht fitoren duke shënuar golin e tretë për skuadrën e tij.
Borusia Dortmund rigjen suksesin në kampionat pas dy humbjeve radhazi. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klop mundi Mainzin në fushën e këtij të fundit me rezultatin 2-1. Ishte skuadra vendase që kaloi e para në avantazh me anë të Myler në minutën e 33 të pjesës së parë. Por, Borusia arriti të përmbysë gjithçka në pjesën e dytë.
Perisic ishte ai që shënoi golin e barazimit për Borusian, ndërkohë që Pizçek i dha fitoren skuadrës së tij.
Në ndeshjet e tjera të Bundesligës, Shalke 04 mundi Frajburgun 4-2, Volfsburgu fitoi me Kaizerslautern 1-0, Mynshengladbah mposhti Nurenbergun 1-0, ndërsa sfida mes Augsburg dhe Hanovërit përfundoi me barazimin 0-0.
Top Channel