Kryeministri Sali Berisha ka folur në podiumin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke theksuar përparimet që ka bërë vendi ynë gjatë këtyre viteve.

Kreu i qeverisë ka theksuar se Shqipëria është tani ndër vendet me nivel të mesëm e të lartë dhe ndër të paktët që nuk u prek nga kriza ekonomike.

“Shqipëria ishte një ndër vendet më të varfëra në botë, sot i përket vendeve me nivel të mesëm dhe të lartë. Më shumë se 34% e buxhetit vjen nga sektori privat. Është një vend ku funksinon demokracia dhe liria e shprehjes. Është vendi i tolerancës fetare. Ka qenë vendi më i izoluar në botë, ndërsa sot është vendi i Aleancës Atlantike. Sot numri i turistëve është rritur me 3.5 milonë, më shumë se vitin e kaluar. Ekonomia shqiptare është ndër të paktat që nuk është prekur nga kriza globale. Liria ekonomike në vend është rritur. Kemi mundësuar lehtësira për bizneset nëpërmjet sistemit ‘one stop shop’. Ekonomia jonë do të vazhdojë të ngjitet gjithnjë e më lartë dhe ne do të përmbushim endrrat për një Shqipëri të zhvilluar. Shqipëria i ngjan një Norvegjie të vogël në gadishullin e Ballkanit. Projektet për hidrocentralet në Shqipëri rezultuan shumë të suksesshme. Jemi gati të luftojmë ndryshimet klimaterike globale, për ne kjo është një pikë shumë e rëndësishme”, është shprehur Berisha.

Apeli për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri Sali Berisha i ka bërë apel vendeve anëtare të OKB-së që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta ndërmarrin këtë akt, në të mirë të stabilitetit të rajonit.

Ai i ka bërë apel Serbisë që të heqë dorë nga qëllimet për ndryshimin e kufijve në veri të Kosovës dhe të heqë bllokadën e vendosur në kufi me shtetin e ri të Ballkanit.

“I bëj apel pjesëtarëve të tjerë të OKB-së që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë për stabilitetin dhe paqen në rajon. Serbisë i kërkoj të pranojë veprimin e gjykatës ndërkombëtare që e ka shpellur të ligjshme pavarësinë e Kosovës. Republika e Kosovës me ndihmën e EULEX-it dhe KFOR-it ka implementuar standardet më të larta dhe reformat e ndërmarra janë më të suksesshmet që nga koha e shpalljes së pavarësisë, duke ofruar kushte më të mira jetese për kosovarët dhe pakicat e tjera në vend. E kaluara nuk duhet të kthehet kurrë më”, shprehet Berisha duke iu drejtuar Serbisë.

“Strukturat paralele në veri të Kosovës kanë kontribuar në rritjen e kriminalitetit dhe kontrabandës në vend. I bëj apel Serbisë të heqë bllokadën në kufirin e saj me Kosovën, të respektojë marrëveshjen e nënshkruar këtë muaj me Kosovën dhe të sigurojë import dhe eksport të lirë për të dyja vendet. Kontrolli i kufijve është një kusht thelbësor në vendet e Ballkanit, atje ku ekzistojnë strukturat paralele do të thotë se Serbia beson ende në ndryshimin e kufijve të Kosovës. Ftoj Serbinë të mendoj dhe rikujtoj ata njerëz që u larguan nga territoret serbe nga spatrimi etnik, duke mos lejuar përsëritjen e atyre ngjarjeve”, theksoi Berisha.

Raporti i Dick Marty

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si të pabazuar në prova raportin e Dick Marty dhe akuzat që ai ngre për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së Kosovës. Kreu i qeverisë e ka cilësuar raportin si të njëjtë me atë të Vladimir Vukçeviç, prokurori i Serbisë për krime lufte.

“Tadiç i ka cilësuar të vërteta deklaratat e Marty për krime në territorin e Shqipërisë. Raporti i Dick Marty është fjalë për fjalë i kopjuar nga ai i Vukçeviç. Shumë nga akuzat e ngritura në të janë të pabazuara dhe janë tendencioze. Raporti Dick Marty – Vukceviç citon pretendimet e Carla del Ponte që ka përdorur të njëjtat burime të pabaza ashtu si edhe Dick Marty. Qëllimi i raportit është të heqë vemendjen nga vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë për njohjen e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Qeveria ime i dërgoi ftesë EULEX-it për të hetuar dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë tërësisht. Ato që shkruhen në raport janë shpifje. Ato që lexova tek raporti i Carla del Ponte më kujtojnë Agata Kristin”, theksoi Berisha.

Qendrimi për shtetin e ri palestinez

Kryeministri Berisha në foltoren e OKB-së ka shprehur edhe qendrimin e qeverisë shqiptare për krijimin e shtetit palestinez.

“Vendi im mbështet idenë e një Palestine të pavarur, por pozicionimet e njëanshme nuk mund të jenë të suksesshme. Kështu mbështes vendimin e kuartetit që dje i bëri të qartë Palestinës rrugën e duhur për të zgjidhur çështjen e pavarësisë”, theksoi Berisha.

Top Channel