Rama: Ja pakti ynë për integrimin

23/09/2011 00:00

Kur kanë mbetur më pak se tre javë nga publikimi i progres-raportit të Komisionit Europian dhe kur askush nuk pret një lajm pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat, dy forcat më të mëdha politike po bëjnë përpjekje për të mos marrë mbi vete përgjegjësinë e një dështimi eventual.

Një ditë pas debatit të ashpër në Parlament, ku demokratët dhe socialistët treguan me gisht njëri-tjetrin, kryesocialisti Edi Rama bëri publike një ofertë për demokratët.

Ofertë të cilën e cilësoi si shans të orës së fundit për marrjen e statusit dhe e pagëzoi me emrin “Pakti ër Shqipërinë si gjithë Europa”, slogani i famshëm i shqiptarëve kur rrëzuan regjimin komunist.

Pakti përmban 10 kërkesa, që nisin me domosdoshmërinë, sipas opozitës, të miratimit me konsensus të ndryshimeve të propozuara prej tyre në rregulloren e Kuvendit dhe miratimin brenda dhjetorit të reformës insitucionale të Parlamentit, bazuar në mangësitë e vëna në dukje nga progres-raporti i vitit të kaluar.

Reforma zgjedhore është një pikë tjetër për konsensus mes palëve dhe Edi Rama kërkon marrëveshje dypalëshe që reforma të kryehet brenda 6 muajve të ardhshëm, duke miratuar me konsensus cdo propozim të opozitës, që ka marrë dritën jeshile nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.

Tre pika të tjera që kërkojnë konsensus kanë të bëjnë me zgjedhjen e disa insitucioneve kushtetuese dhe instiucioneve të jera të larta, si Avokati i Popullit, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me kushtin që te mos jenë anëtarë të partive të mëdha, si dhe propozimin e tre anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe zgjedhjen me konsensus të guvernatorit të bankës.

Këto dy të fundit janë dy kërkesa të reja, që përfshihen për herë të parë zyrtarisht si kërkesa për një pakt me mazhorancën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve të thella mes palëve. Por nuk është vetëm kjo.

Edi Rama, duke kërkuar rishqyrtimin e ligjeve me 3/5-at, ka artikuluar zyrtarisht, pa vënë afate, edhe nevojën për rishikimin e Kushtetutës, ku të trajtohet cështja e imunitetit, por edhe cështje të tjera, që ai nuk i detajoi, duke lënë pa përgjigje, njëherë për njëherë, nëse këtu përfshihet edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit.

“Ngritja e një tryeze për rishikimin e Kushtetutës, ku, me asistencën e Komisionit të Venecias, të përfshihet kufizimi i imunitetit dhe cështje të tjera me interes publik dhe kombëtar”, deklaroi Rama.

Në 10 kërkesat e dialogut politik të Edi Ramës është përfshire dhe një nismë e përbashkët në formën e letrës për prokuroren e përgjithshme, e firmosur nga të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare dhe të gjithë deputetët, ku të kërkohet zbardhja e 21 janarit dhe hetimi i personave me imunitet dhe detyra shtetërore, të përmendur në kabllogramet e Wikileaks.

Për këtë socialistët kërkojnë garanaci për mossulm verbal të prokurores së përgjithshme dhe për mosmarrje në mbrojtje politike të askujt që mund të vendoset nën hetim.

Pika e fundit ka të bëjë me lirinë e medias, publike dhe private, duke ndërmarrë disa veprime konsensuale. Edi Rama ishte i qartë se mospranimi i këtij pakti nga mazhoranca do të thotë dështim i procesit të integrimit, jo për faj të opozitës, e cila do të japë votën e saj vetëm nëse përmbushen këto kërkesa.

“Këto janë 10 pika. E di që numri 10 mund ta trazojë mendjen dhe arsyen e Saliut, por ne këto kemi. Jemi të hapur që pala tjetër të shtojë edhe të tjera. Nëse e dëshiron këtë pakt, nëse do vërtet votat tona në Parlament, ne jemi gati ta nënshkruajmë këtë pakt që nesër. Ta kthejmë krizën politike në një shans për Shqipërinë, duke marrë pjesën tonë të përgjegjësisë për refuzimin e vitit të shkuar. Ndërkohë, qeveria duhet të mbajë pjesen e vetë, që është një përgjegjësi shumë më e madhe se ajo e opozitës”, theksoi Rama.

Cfarë do të bëjë pala tjetër? Disa kërkesa të socialistëve, si reforma zgjedhore dhe Avokati i Popullit mund të quhen të zgjidhura, pasi janë oferta të bëra nga kryeministri Berisha prej kohësh.

Për disa të tjera kryeministri është treguar i hapur për diskutim, përfshirë edhe rregulloren e Kuvendit, por për disa të tjera si ndryshimi i Kushtetutës, nëse ajo prek cështjen e presidentit, është refuzuar në mënyrë kategorike.

Mazhoranca, gjithashtu, ka deklaruar se nuk pranon kushte dhe nuk bën pazare me integrimin e vendit. Kështu që, tani per tani, gjithcka qëndron pezull.

Pakti për Shqipërinë si gjithë Europa

1. Te votojme menjehere rregullat e bashkëjetesës në sallën e kuvendit.

2. Te ngreme menjehere komisionin e perbashket parlamentar ‘ad hoc’ per te miratuar reformen institucionale te parlamentit.

3. Te vendosim me marreveshje dypaleshe perfundimin e reformes zgjedhore brenda marsit te vitit 2012, bazuar ne te gjitha rekomandimet e dy raporteve te fundit te OSBE-ODIHR, duke rene dakord qe cdo propozim i opozites qe merr driten jeshile te OSBE apo Komisioni i Venecias, te miratohet me konsensus.

4. Te adresojme me nje proces konsensual zgjedhjen e Keshillit Mbikeqyres te Bankes se Shqiperise. Te votojme konsensualisht kandidatin e perzgjedhur ne baze te ligjit si guvernator.

5. Te zgjedhim konsensualisht kryetarin e KLSH-se.

6. Te zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit per te gjetur nje figure qe nuk ka milituar ne partite e medha.

7. Te ngarkojme Komisionin e Ligjeve qe brenda ketij viti parlamentar te trajtoje me nje grup ‘ad hoc’, me pjesemarrjen e konstitucionalisteve dhe eksperteve, cdo ceshtje qe lidhet me ligjet qe kerkojne 3/5 e kuvendit, qofte ato qe jane adresuar, qofte ato qe do te sjelle opozita.

8. Te biem dakord qe kufizimi i imunitetit parlamentar nuk mund te jete vazhde e praktikave te deritanishme. Te hapim nje tryeze per rishikimin e Kushtetutes, ku te perfshijme Komisionin e Venecias, qofte per kufizimin e imunitetit parlamentar, qofte per ato ceshtje ne interes kombetar dhe publik qe meritojne te rishikojne.

9. T’i drejtohemi Prokurores me nje leter te firmosur nga te gjitha kryetaret e grupeve parlamentare dhe deputetet, per dy ceshtje: Se pari zbardhjen e plote te tragjedise se 21 janarit duke ofruar mbeshtetje te plote politike deri ne diten e fundit te mandatit te saj (perfshi ketu edhe vrasjen e deputetit Xhindi dhe kryekomunarit Veseli). Se dyti, te therrase te gjitha personat me imunitet parlamentar ose me detyra te tjera shteterore qe kane rezultuar te perzier me boten e krimit dhe te korrupsionit ne driten e publikimit te kabllogrameve me te rendesishme te botes.

10. Te balancoje me konsensus bordin e Televizionit Publik dhe te zgjedhe nje drejtues qe garanton paanshmerine e informimit te publikut dhe qe paguhet njesoj nga te gjithe qytetaret. Te votojme me konsensus ligjin e medias, per t’i dhene fund te gjitha presioneve mbi median publike.

Top Channel