Bankat: Amnistia fiskale, një zhgënjim

23/09/2011 08:00

Një tjetër sinjal negativ i amnistisë fiskale vjen nga vetë sektori bankar, aty ku parashikohej legalizimi i shumave të konsiderueshme, kundrejt pagesës 3 për qind, që shkonte për buxhetin e shtetit.

“Edhe pse i morëm të gjitha masat, trajnuam stafet dhe qëndruam në gatishmëri, pakkush u kujtua të legalizonte të ardhurat e padeklaruara. Të shohim çfarë do të ndodhë për tre muajt e mbetur të vitit”, shprehen burime pranë Shoqatës së Bankave për gazetën ‘Shqip’.

Sa u takon të dhënave, është vështirë të raportohen në kohë reale për shkak se në vend operojnë rreth 530 degë dhe agjenci bankare. Megjithatë, informacionet paraprake tregojnë për një zhgënjim të vërtetë. Ashtu si biznesi, edhe sektori bankar në vend e shikon përgjegjësinë te vetë shteti, i cili nuk ndërmori asnjë fushatë sensibilizuese për të informuar opinionin publik. Shoqata e bankave thotë se në media u prezantua për disa ditë një spot gjatë muajit korrik, por nuk pati rezultat. Nëse në tre muajt e verës, aty kur emigrantët vizitojnë masivisht vendin e tyre, nuk u ofrua asgjë konkrete, për pjesën e mbetur të vitit shanset paraqiten negative.
 
Kur kanë mbetur edhe tre muaj, deri më 31 dhjetor 2011, që është afati i fundit i amnistisë fiskale, shifrat e përgjithshme të raportuara deri tani nuk dëshmojnë për sukses të procesit. Nga ana tjetër, biznesi shprehet indiferent ndaj procesit, kurse një pjesë shkon deri aty për rishikimin e ligjit. I kontaktuar nga “Shqip”, kreu i dhomës së tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, kërkon më shumë kohë deri në daljen e një raporti konkret. “Tre muajt e parë të amnistisë përkuan me pushimet e verës.

Megjithatë, nga tatimet dhe doganat nevojitet më shumë fushatë informacioni lidhur me procesin. Të presim çfarë do të ndodhë në vazhdim të amnistisë”, thotë Jaka.

Pjesës së legalizimit të ardhurave i është kushtuar një kapitull i veçantë në ligjin e amnistisë fiskale. Sipas udhëzimit, çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe personat fizikë tregtarë ose përfaqësues i tij mund të legalizojnë shuma në të holla, sipas procedurës të sqaruar në ligj. Individi, personi fizik tregtar apo përfaqësuesi i tij plotëson në dy kopje formularin e aplikimit për depozitim shumash në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Formulari i aplikimit vihet në dispozicion të aplikuesit nga të gjitha bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë. Më parë, aplikuesi i paraqet punonjësit të bankës dokumentin e identifikimit së bashku me formularin të aplikimit të plotësuar, duke i bashkëlidhur edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit.

Punonjësi i bankës në prani të personit që bën aplikimin (individit apo personit fizik tregtar apo përfaqësuesit të tij), kontrollon të dhënat e paraqitura në formularin e aplikimit, në përputhje me dokumentet e identitetit të aplikantit ose përfaqësuesit të tij. Vetëm në rastet kur të dhënat në formular nuk korrespondojnë me ato të dokumentit të identitetit ose nuk realizohet identifikimi i klientit, në zbatim të ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe rregullores së Bankës së Shqipërisë “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, punonjësi i bankës refuzon kërkesën për legalizimin e shumave në të holla.

Nëse ka mospërputhje ndërmjet të dhënave në formularin e aplikimit me dokumentet e identitetit, punonjësi i bankës është i detyruar të informojë aplikuesin ose përfaqësuesin e tij për problemin e identifikuar dhe të ofrojë mundësi për korrigjim.  

Banka, në bazë të rregullores së saj, harton një format që duhet të plotësohet nga punonjësi i bankës, ku të përcaktohet shuma e legalizuar, kursi i këmbimit kur nevojitet, dhe llogaritja e 3 për qind të shumës, së bashku me numrin e llogarisë ku do të bëhet derdhja e saj. Punonjësi i bankës pas pranimit të kërkesës për legalizim të shumave në të holla, kopjen e dytë e aplikimit të nënshkruar, ia dorëzon aplikantit ose përfaqësuesit të tij. Tatimi në burim, në masën 3 për qind për legalizimin e shumës në të holla, mbahet nga Banka dhe transferohet prej saj në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave.
 
Në rastin e personave fizikë tregtarë, shuma në të holla e legalizuar kontabilizohet në zërin e të ardhurave, ndërsa tatimi i mbajtur në burim nuk njihet si shpenzimi i zbritshëm, për efekte fiskale. Nëse e gjithë shuma në të holla e legalizuar apo një pjesë e saj transferohen në një llogari bankare jashtë shtetit, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në nenin 15 të ligjit. Edhe në këtë rast, penaliteti mbahet nga Banka dhe transferohet prej saj në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave. Për shumat në të holla në monedhë të huaj, penaliteti transferohet në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave pas konvertimit me kursin ditor të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Top Channel