Berisha, lobim për Kosovën

20/09/2011 21:15

Ne New York, me një axhendë intensive takimesh, kryeministri Sali Berisha po bwn lobing për njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës, për thithjen e investimeve të huaja, si dhe po u shpjegon partnerëve europiane dhe amerikanë për zhvillimet politike në vend dhe përpjekjet për integrimin europian.

Me presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, një vend anëtar i Bashkimit Europian, kryeministri Berisha konfirmoi vullnetin për të ecur përpara me shpejtësi me projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndërsa me kongresmenin amerikan Eliot Engell, një mik i shqiptarëve, duke diskutuar për situatën politike në Shqipëri, kryeministri Berisha ka mirëpritur kthimin e opozitës në parlament dhe shprehu shpresën se opozita do të përfshihej në mënyrë serioze në reformën zgjedhore, duke kontribuar me konsensus dhe vullnet pozitiv në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në BE.

Gjatë takimit me kongresmenin Engel u diskutua për çështjen e njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe koordinimin e përpjekjeve te përbashkëta.

Të dy politikanët vlerësuan maturinë e qeverisë së Kosovës për hapat e ndërmarrë në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës.

Kryeministri Berisha konfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen e kufijve ekzistues në Ballkan, si politika më e mirë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjatë qëndrimit në New York, ku po merr pjesë në punimet e sesionit të 66 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zoti Berisha u takua me kryeministrin e Bhutanit, të cilit i kërkoi që Bhutani të marrë në konsideratë shqyrtimin e dosjes së Kosovës, duke theksuar se njohja e pavarësisë së shtetit më të ri të Europës do t’i shërbejë konsolidimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Top Channel