Aeroportet, mblidhen shefat e policisë dhe SHISH

20/09/2011 04:15

U zhvillua dje mbledhja e parë e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil (KKSAC), e drejtuar nga drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku.

Të pranishëm në takim ishin krerë nga institucionet e sigurisë së vendit dhe ruajtjes së rendit publik, si SHISH dhe Policia e Shtetit, apo edhe të kontrollit doganor, postar etj.

Sipas gazetës “Shqip”, Diskutimet u përqendruan në qëllimin e krijimit të Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, detyrat dhe përgjegjësitë e tij.

Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, sqaron se krijimi i këtij komiteti ka për qëllim rritjen e sigurisë në aeroporte, të cilat do të parandalonin kërcënimet e mundshme, aktet terroriste etj.

Mësohet se, aeroportet në Shqipëri do të kalojnë të gjitha testet e sigurisë së lartë për fluturime. Konform legjislacionit europian në fushën e sigurisë, është krijuar tashmë Komiteti i Sigurisë së Aviacionit Civil.

Në mbledhjen e parë të Komitetit të Sigurisë në Aviacionin Civil u prezantua legjislacioni i nevojshëm dhe mundësia për bashkërendimin e punëve mes institucioneve për këtë qëllim. KSAC u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave më 2 shkurt 2011.

Top Channel