Jemen, plumba mbi protestuesit

19/09/2011 23:45

Burimet spitalore në Jemen bëjnë të ditur se janë të paktën 21 viktimat e forcave të sigurisë në Jemen që vazhdojnë shtypjen e dhunshme të protestave të nisura të dielën.

Në kryeqytetin Sana’a, mbi demonstruesit është qëlluar me snajperë nga catitë e ndërtesave mbi demonstruesit, duke goditur edhe kalimtarë të rastit, përfshirë një fëmijë. Në pjesë të tjera të qytetit, forcat qeveritare janë përleshur me mbështetësit e opozitës, ndërsa disa zona të mbajtura nga ushtarët besnikë të kundërshtarëve të regjimit, ka patur bombardime.

Opozita vendase premton të vazhdojë përpjekjet e saj për rrëzimin e presidentit Ali Abdullah Saleh. Prej muajsh të tërë tashmë, mijëra njerëz janë bërë pjesë e fushatës kundër Salehut, në pushtet që prej 1978-s e që aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku po rimerr veten pas plagosjes nga një sulm me bombë në muajin qershor.

Përkrahësit e opozitës besojnë se qeveria e ka orkestruar qëllimisht dhunën në vend për të zbehur cdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje.

26 protestues u vranë të dielën dhe mbi 550 të tjerë u plagosën, kur forcat e sigurisë qëlluan me plumba të vërtetë mbi njerëzit e mbledhur për një demonstratë masive në kryeqytet. Bilanci i vdekjeve mund të rritet akoma më shumë sepse një pjesë e të lënduarve, janë në gjendje kritike.

Ndërsa dhuna në vend ka njohur kështu një tjetër përshkallëzim dhe vetë Sana’a përjetoi një prej shtypjeve më të përgjakshme të protestave prej disa muajsh tashmë, në Jemen mbërritën të derguar nga Kombet e Bashkuara dhe Këshilli për Bashkëpunim në Gjirin Persik, të cilët do të përpiqen të negociojnë dorëheqjen e presidentit Saleh.

Top Channel