SHBA, taksë shtesë për të pasurit

18/09/2011 17:15

Barak Obama po planifikon një taksë më të lartë për pasanikët amerikane, që fitojnë mbi 1 milionë dollarë në vit.  

Presidenti i Shteteve të Bashkuara synon të garantojë se ata do të taksohen po njësoj si amerikanët më pak të pasur. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thane se ai do t’i bëjë publike detajet e propozimit të hënën kur të paraqesë planin afat-gjatë për të reduktuar deficitin buxhetor.

Sic raportojnë mediat, ai do të quhet “Rregulli Bafet” sipas investitorit miliarder Uorren Bafet, që pritet të përballet me një kundërshtim të fortë të republikanëve  në Kongres.

Në fjalimin e tij të përjavshëm, Obama shpjegoi se planin prej 447 miliardë dollarësh për hapjen e vendeve të punës, që paraqet një reduktim të taksave për punëtorët dhe bizneset e vogla si dhe fonde për projektet e punësimit publik dhe shkollat nuk do t’i shtohet deficitit, por do të paguhet për të.

“Ky është një projet-ligj për dy gjëra të thjeshta, punësim për më shumë njerëz dhe më shumë para për ata që punojnë”, tha Obama.

Obama u bëri thirrje amerikanëve t’u kërkojnë ligjvënësve të miratojnë projekt-ligjin dhe tha se anëtarët e Kongresit duhet të veprojnë me shpejtësi.
 
“Koha për veprim është tani. Jo më lodra, jo më bllokime, jo më përçarje apo vonesa. Është koha për njerëzit që ju keni çuar në Uashington të vënë vendin para partive, të mendojnë më pak për vendin e tyre të punës dhe të mendojnë më tepër për vendet tuaja të punës”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Ekonomia amerikane ka shënuar një rritje të ngadaltë, ndërsa niveli i papunësisë mbetet shumë i lartë, mbi 9 %.  Në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, Obama është përballur me Kongresin për reduktimin e deficitit të lartë, ndërsa ekonomia ka mbetur në stanjacion.  

Një superkomitet i Kongresit, i përbërë nga gjashtë republikanë dhe gjashtë demokrate është ngarkuar të gjejë mënyrat për reduktimin e deficitit, deri në muajin Nëntor.

Top Channel