Erler: Integrimi, veprime konkrete

17/09/2011 00:00

Veprime konkrete dhe jo vetem fjale, ndryshe Shqipëria nuk ka asnjë
shans që të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Kështu deklaroi në një intervistë për Top Channel, Gernot Erler, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, i cili vizitoi Tiranen.
 
“Gjatë vizitave të shkuara edhe në këtë të tanishme kam parë nga afër ngërcin politik në të cilin ndodhet Shqipëria.Tani që opozita i është rikthyer në parlament, pritshmëritë janë të larta. Qëllimi i vizitës time ishte ndihmesa në daljen nga ky ngërc, për të cilën kam folur gjatë takimeve me politikanët shqiptarë. Ka ardhur koha që të dy palët të jenë më fleksibël dhe bashkëpunues. Kjo është e vetmja rrugë për Shqipërinë, pasi e presin shumë sfida të rëndësishme sic janë 12 rekomandimet tashmë të njohura nga të gjithë.Pa patur progres në këtë drejtim ateherë nuk ka asnjë shans për marrjen e statusit të vendit kandidat që do ta afronte vendin tuaj në Europë”, tha Erler.

Deputeti Erler ka komentuar edhe tentativën e dështuar të ambasadores gjermane, për një shtrëngim duarsh mes kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës Edi Rama.

“Eshtë disi e cuditshme për ne pasi në poltikë njihet konkurrenca, por është mëse normale shtërngimi duarve me njëri-tjetrit apo të pimë edhe birrë së bashku. Shqipëria natyrisht është ndryshe dhe duhet ta kemi parasysh. Shpresoj se pavarisht mosdhënies së sinjaleve, ne do të shikojmë një bashkëpunim mes dy palëve që është e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Erler.

Integrimin europian të Shqipërisë, deputeti i Bundestagut e shikon me skepticizëm.

“Situata është e komplikuar. Bashkimi Europian nuk pret vetëm të hartohen ligje, por zbatimin e tyre. Koha për miratimin e ligjeve ishte e shkurtër,  njëkohësisht implementimi i tyre. Nuk është e arsyeshme që palët të fajësojnë njëra-tjetrën për këtë. Nuk duam të shikojmë nga Shqipëria anoncime sipërfaqësore për integrimin, por punë konkrete nga politika. Shqipëria ka një mundësi të mirë për ta bërë këtë. Mbase kjo mundësi është akoma më e mirë me funksionin normal të parlamentit. Por unë jam pak skeptik për këtë pasi nga takimet që kam patur,  rikuperimi i kohës së humbur kërkon kohë së bashku me ndërtimin e besimit mes palëve dhe kjo mund të them se është konkluzioni vizitës time. Skepticizmin tim e bazoj në historinë e zhvillimit të ngjarje që natyrisht luan një rol në vlerësimin e liderve politik nga të dy palët. Kam dëgjuar shumë për fajësim të njëri-tjetrit për këtë ngërc dy vjecar në politikën shqiptare. Kjo për mua nuk do të thotë aspak një fillim i mbarë për të nisur një kapitull të ri. Unë jam mik i Shqipërisë dhe nuk do të ndaloj së punuari për arritje e një konsensusi në politikën shqiptare pasi pa atë nuk do të mund të integrohet në BE”, tha deputeti.

Top Channel