Pakti për Europën? Berisha të braktisë autokratizmin

14/09/2011 00:00

Andrea Stefani – Kurrë nuk do keni kushte nga kjo qeveri, por edhe përpjekjet për t’i vënë kushte, do dështojnë!

Kështu i deklaroi opozitës, nga foltorja e Parlamentit, Kryeministri Berisha. Dhe si përherë kur ai flet, kemi të bëjmë me një demagogji dhe mashtrim. Sepse është pikërisht Kryeministri dhe shumica që i kanë vënë opozitës një kusht të papranueshëm që është strategjia autokratike që ata ndjekin. Shihet qartë se Berisha dhe shumica vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi pakicën që ajo të miratojë disa ligje që në vend se të forcojnë demokracinë dhe lirinë, të çojnë ujë në mullirin e autokratizmit. Pra opozita ka sot vetëm një kusht për Berishën dhe shumicën që projektligjet e ofruara prej tyre t’i shërbejnë fuqizimit të sistemit të lirisë dhe demokracisë. Dhe ky është një kusht nga i cili opozita, i pëlqen apo s’i pëlqen Berishës, nuk mund të heqë dorë. Sepse do të ishte njësoj si të hiqte dorë nga projekti i lirisë duke u bërë konsensualisht aksionere në projektin berishist të sundimit. Opozita e bëri një herë atë gabim, në prill 2008, kur dha votat për ndryshimin autokratik të Kushtetutës. Dhe ka pak gjasa ta bëjë atë përsëri. Deklarimi nga Edi Rama se nuk do të miratojnë disa ligje sa për t’i hedhur hi syve Brukselit, është shpresëdhënës.

* * *

Por mjerisht, Brukseli duket se i ka prej vitesh sytë me hi, sa herë vjen puna për të parë se si po venë punët në Shqipëri. Edhe pse e kanë përpara autokratin në formën e një “mbreti lakuriq”, në Bruksel vazhdojnë të mburrë jo pak rrobat e tij “demokratike”. Dhe që jo vetëm evropianët, por mbarë perëndimorët, e kanë të qartë se Berisha është një autokrat i pandreqshëm, kjo duket edhe në raportet e tyre për rrezikimin e institucioneve e të pavarura, si prokuroria, gjykatat apo Presidenca. Kabllogramet e “ëikileaks” nuk lënë asnjë dyshim për kristalizimin tashmë të një bindjeje se Berisha është një si lloj kafshe politike me uri të panginjshme për të gëlltitur institucione. Dhe nuk mund të thuash se perëndimorët nuk i panë sesi qeveria e tij vrau gedafçe, me gjakftohtësi, 4 demonstrues të pafajshëm. Nuk mund të thuash se ata nuk e panë sesi autokrati grabiti në mes të ditës mandatin e Bashkisë së Tiranës. Nuk mund të thuash se ata nuk po shohin se, krejt në kundërshtim me frymën e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut, kryetari “demokrat” i Bashkisë së Tiranës po flak nëpunësit publikë për t’i zëvendësuar me militantë partiakë. Të gjitha akte që denoncojnë autokratizmin, kapjen e institucioneve dhe dhunën e padrejtë të pushtetit mbi qytetarët. Prandaj tingëllon pa kuptim thirrja që Fratini, miku i Berishës, i drejtoi në mënyrë simetrike pozitës dhe opozitës për nevojën e konsensusit dhe arritjen e një pakti me Europën. E tillë është edhe moralistika boshe mbi kooperimin e ambasadorit Etore Sequi. Sepse nuk është se politikanët shqiptarë nuk dinë si të kooperojnë dhe se me t’ia treguar ambasadori Sequi, ata do nisin ta bëjnë një gjë të tillë. Problemi është më rrënjësor dhe më i komplikuar se kaq. Thënë shkurt, ashtu sikundër nuk mund të bashkëpunojë ujku me delen, ashtu nuk mund të ketë bashkëpunim mes një pushteti që lakmon sundim autokratik dhe një opozite që përpiqet ta shmangë një të keqe të tillë.

* * *

Prandaj ajo që duhet të bëjnë ndërkombëtarët në këto momente, është që të lënë mënjanë moralizimet dhe të rrisin presionin mbi qeverinë dhe Berishën që, të paktën, projektligjet që kërkojnë për miratim edhe votat e opozitës, të jenë vërtet në favor të europianizimit të shtetit dhe jo të autokratizimit të tij. Nëse “fratinët” arrijnë ta detyrojnë shumicën të ofrojë projektligje vërtet europianizuese, atëherë edhe shanset që opozita të japë votën e saj, do të jenë shumë më të mëdha. Në fakt, asnjë opozitë nuk do të qe e justifikuar nëse do të kundërshtonte të votonte ligje të tilla lirisjellëse. Por nëse shumica vazhdon me avazin e ligjeve që çojnë ujë në mullirin e autokratizmit, të akuzosh opozitën si fajtore për mosarritjen e konsensusit, është njësoj si ta ndëshkosh atë se përse nuk i nënshtrohet sundimit të një pushteti autokratik. Kjo është ajo që në fakt po synon Berisha. Por a është kjo ajo që duan perëndimorët, nënshtrimin e opozitës dhe stabilizimin e autokratizmit në Shqipëri? Berisha deklaroi në Kuvend se mosmiratimi i ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave nuk është në të mirën e qytetarëve. Varet si e shikon çështjen. Si përherë Berisha beson se ajo që është e mirë për përjetësimin e tij në pushtet, është dhe e mira më e madhe për shqiptarët. Në fakt, e mira për shqiptarët është krejt në të kundërt. Pra, nëse nuk miratohen ligje antiliri nuk është aspak në të keqen, por në të mirën më të madhe të qytetarëve. Ashtu sikundër ka qenë në të mirën e qytetarëve rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i nja 20 ligjeve të miratuara nga shumica berishiste. E kundërta, miratimi nga opozita i disa ligjeve mbi të cilat themelohet shtypja e lirisë, do të ishte e keqja më e madhe e qytetarëve. Sepse do të thoshte edhe largim e jo integrim të Shqipërisë me Europën. Të mos votosh ligje me frymë autokratike nuk do të thotë ta pengosh integrimin, por të mbash hapur shanset e tij. Bllokuese e europianizmit dhe integrimit janë pushtetet dhe shumicat që këmbëngulin në zbatimin e strategjive autokratike. Prandaj opozita mund të jetë e qetë dhe duhet të vazhdojë të këmbëngulë të vërë si kusht për konsensusin, lirinë. Të votojë vetëm ligje që fuqizojnë lirinë. Dhe “Pakt për Europën” do të thotë të bësh pikërisht këtë. Por a mund të detyrohet një autokrat i regjur si Berisha të investohet për lirinë? Opozita dhe institucionet e nëpërkëmbura shqiptare, zor se e arrijnë një mrekulli të tillë. Dhe meqenëse as “fratinët” nuk shfaqin një të tillë intension, “Pakti për Europën” apo bashkëpunimi i propaganduar këto ditë nga vetë ata, është i destinuar të dështojë si përherë në këta 20 vjet. Dhe po për fajin e autokratizmit berishist.

Gazeta “Shqip”

Top Channel