“Saliu keqpërdori proamerikanizmin”

11/09/2011 09:15

Në një editorial me titull “11 SHTATORI DHE RRYSHFETET PËR TË LUFTUAR PËRKRAH AMERIKËS”, që publikohet këtë të dielë në median e shkruar shqiptare, kryetari socialist Edi Rama merr shkas nga përvjetori i sulmit terrorist mbi kullat binjake 10 vjet më parë.

Rama shkruan se ishin Shtetet e Bashkuara që paguan koston më të madhe, por edhe Shqipëria ka bërë me dinjitet atë që i takon, sa i takon dhe si i takon.

“Ky dhjetëvjetor është dita për të rinënvizuar gatishmërinë e vendosmërinë tonë kombëtare e shtetërore për të vazhduar të bëjmë atë që na takon si shqiptarë. Por ky dhjetëvjetor është edhe dita për të reflektuar për mëkatet e qeverisë së sotme shqiptare që e kanë futur korrupsionin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, duke e keqpërdorur tinëzisht e babëzisht mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara e të NATO-s dhe duke nxjerrë përfitime të paligjshme financiare. Kush më shumë e kush më pak, në elitën e pushtetit dhe në atë të forcave tona të armatosura. Saliu e oborri i tij e kanë bërë përmes kanaleve të llumit të përgjakshëm të Gërdecit ku kontrabanduan sasira të mëdha municionesh me kosto njerëzore e financiare të tmerrshme për Shqipërinë, ndërsa disa gjeneralë shqiptarë duke heshtur para këtij korrupsioni të neveritshëm ose duke marrë rryshfete nga rekrutët për t’i futur në listat e misioneve të NATO-s në Irak apo Afganistan. S’është Saliu i pari kryeministër i këtij vendi që rreshtimin natyral të popullit shqiptar në krah të Shteteve të Bashkuara dhe gatishmërinë e vendosmërinë konsensuale të politikës shqiptare për t’iu përgjigjur çdo kërkese të frontit të luftës kundër terrorizmit pas 11 shtatorit, e përdor si kartabiankë për të shkelur në Shqipëri liri e të drejta Por Saliu është padyshim i pari kryeministër qysh nga 11 shtatori i vitit 2001 që proamerikanizmin e popullit shqiptar dhe mbështetjen e paçmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë e përdor për të grabitur zgjedhjet e për ta kthyer në fakt të kryer përmes votave të vjedhura qeverisjen e qytetarëve të këtij vendi, në nivel kombëtar a vendor.”

Rama shkruan se kryeministri është i pari që nxiti kërcënimin me jetë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për të fshehur gjurmët që lidhin një mega aferë korrupsioni si ajo e Gërdecit me derën e shtëpisë së tij. Eshtë i pari kryeministër që bëhet mburoja e korrupsionit gëlues në Ministrinë e Mbrojtjes e në rradhët e gjeneralëve shqiptarë, duke mbyllur sytë për rryshfetet më të turpshme që mund të parafytyrohen në një vend të NATO-s, në këmbim të mbylljes së syve të gjeneralëve përpara rrugëve të shpërdorimit korruptiv ku kalojnë armatimet, municionet apo pronat e administruara nga ajo ministri.

“11 shtatori i dhjetë vjetëve më vonë e gjen Shqipërinë me krenarinë për gjithçka populli, forcat politike pa dallim, misionet tona ushtarake në Irak e Afganistan bënë në mbrojtje të vlerave të botës së lirë krah për krah me Shtetet e Bashkuara. Por edhe me detyrimin themelor për të mishëruar vlerat e lirisë e të demokracisë në funksionimin e parlamentit, qeverisë, shtetit shqiptar si shërbëtor i qytetarëve të këtij vendi. Të cilët kanë merituar gjithë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i japin prej njëzet vjetësh popullit shqiptar, po nuk meritojnë të keqpërdoren nga askush që mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë e keqpërdor për të mbajtur shqiptarët peng duke u vjedhur votën, pronën, lekët. Duke u vjedhur vetë shpresën se një ditë do ta gjejnë në atdheun e tyre Amerikën e ëndrrave e të shpresave, të barazisë para ligjit e të mundësive të barabarta. Amerikën e qytetarëve të lirë dhe të qeverive të zgjedhura nga qytetarët.”

Top Channel