Spahiu: Alarm për kriminalitetin e lartë

09/09/2011 19:20

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka vizituar pasditen e sotme familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili u vra sot në një atentat në qytetin e Vlorës.

Në një prononcim për mediat, Spahiu e ka cilësuar vrasjen e Konomit si një atentat barbar ndaj institucioneve shtetërore.

“Vrasja e Konomit ishte një atentat barbar ndaj figurave të sistemit të drejtësisë. Krime të tilla ndaj zyrtarëve të drejtësisë nuk ndodhën as në vitin 1997. Shqipëria ndodhet në alarm për nivelin e lartë të kriminalitetit”, ka deklaruar Spahiu.

Spahiu: Shqipëria, jo si Sicilia e 50 viteve më parë

Më herët gjatë paradites, në reagimin e bërë menjëherë pas ngjarjes, nënkryetari i KLD-së u shpreh se ekzekutime të tilla terroriste nuk duhet të ndodhin në asnjë vend ku funksionon rendi dhe ligji.

“Ky akt është në vazhdën e disa ngjarjeve dhe atentateve kundër gjyqësorit përgjatë viteve të fundit, duke përbërë një rast të paprecedent që nga koha e Ismail Qemalit”, tha Spahiu.

Ai kërkoi që kjo ngjarje të trajtohet me prioritet dhe të vendosen para drejtësisë autorët e veprës kriminale, pasi sipas tij, ky është një akt kundër strukturave të drejtësisë.

“Shqipëria synon të jetë në rrugën drejt BE-së dhe jo në Sicilinë e 50 viteve më parë, ku drejtësia gjunjëzohej përballë veprave mafioze dhe krimit të organizuar”, shtoi Spahiu.

Top Channel