Krimi në Vlorë, Topi mbledh krerët e sigurisë

09/09/2011 15:00

Vetëm pak orë pas ngjarjes tragjike në Vlorë, Presidenti i Republikës,
Bamir Topi, njëkohosisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë,
priti sot në mesditë Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, Drejtorin e
Shërbimit Informativ Shtetëror Bahri Shaqiri dhe Drejtorin e
Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Sic njofton presidenca, në këtë takim Presidenti kërkoi një informacion të detajuar mbi zhvillimet e deritanishme, që i përkasin ngjarjes tragjike të vrasjes në Vlorë, ku mbeti viktimë e një atentati me bombë gjyqtari Skerdilajd Konomi. Pasi dëgjoi me vëmendje Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e SHISH dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Presidenti i Republikës kërkoi angazhimin maksimal të këtyre institucioneve dhe strukturave të tjera vartëse për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve si dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë.

Edhe një herë në këtë takim, Kryetari i Shtetit vuri në dukje se një ngjarje e tillë, që ka tronditur sot gjithë opinionin publik, është një goditje tepër e rëndë ndaj figurës dhe profesionit të gjyqtarit si garant i vendosjes së drejtësisë në vend, ndaj dhe për këtë duhet një bashkëpunim shumë profesional dhe i efektshëm mes institucioneve përkatëse për të zbuluar shkaqet dhe gjetur autorët e këtij akti makabër. Presidenti i Republikës inkurajon të gjithë punonjësit e zbatimit të ligjit, thuhet në njoftimin e Presidencës, që të kryejnë me guxim e profesionalizëm detyrën e tyre fisnike në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

Skerdilajd Konomi, 33 vjec, gjyqtar i Vlores u vra sot ne qytetin e bregdetar, pas nje shperthimi ne makinen e tij. Gjyqtari ishte duke shkuar ne pune me mjetin e tij kur eksplozivi, i cili dyshohet se u shperthye me telekomandim, u aktivizua poshte sejdiljes se tij. Te paret qe munden ta nxjerin trupin e demtuar rende nga eksplozivi ishin kalimtaret e rastit. Ne vendin e ngjarjes nuk mberriti asnje ndihme mjeksore urgjente dhe gjykatesi nderroi jete ndersa transportohej per ne spital ne bagazhin e nje furgoni policie.
 

Top Channel