AK: Të zbardhen bisedimet Haxhinasto-Zepos

09/09/2011 11:45

Aleanca Kuq e Zi reagon pas takimit të ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto me diplomatin grek, Ioannis Zepos.

“Qeveria duhet të bëjë transparente bisedimet me diplomacinë greke. Jemi kundër takimeve me dyer të mbyllura të ministrave”, thanë përfaqësuesit e Aleancës.

Sipas tyre, Greqia nuk mund të kushtëzojë Shqipërinë për integrimin evropian, ndërsa theksojnë se ministri grek Lambrinidis injoroi vendimin e Gjykatës Kushtetueses

“Qeveria të mos bëjë kompromis me çështjen shqiptare”, thonë përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi në reagimin e tyre.

Greqia, në mënyrë sekrete vazhdon të intesifikojë përpjekjet diplomatike për cështjen e regjistrimit të popullsisë. Mëngjesin e të enjtes mbërriti në Tiranë sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, Ioannis Zepos.

Së bashku me ambasadorin grek në Tiranë ata zhvilluan një takim me zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edmon Haxhinsto. Pak përpara takimit me shefin e diplomacisë shqiptare, për rreth një orë Zepos ka biseduar për një sërë cështjesh me homologun shqiptar Gazmend Turdiu.

Burime diplomatike nga Ministria e Jashtme, në mënyrë konfidenciale, jo zyrtarisht pohuan se pjesë e bisedimeve ishte edhe cështja e censusit. Por, në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Jashtme thuhet se  “në takim u shpreh vullneti i përbashkët për zhvillimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.

Zepos nënvizoi se Greqia do të vazhdojë të jetë nga mbështetësit kryesorë në përpjekjet që bën Shqipëria për integrimin evropian, duke ofruar asistencën e saj konkrete në këtë drejtim.

Ioannis Zepos mbërriti në Tiranë me kërkesën e tij dhe zhvilloi nje axhende te bërë nga ambasada greke në Tiranë. Madje edhe lëvizjet në Tiranë u kryen me makinën e ambasadorit grek dhe jo me makinat e protokollit shqiptarë sic ndodh në rastet kur vizita është zyrtare. Pas ministrisë së jashtme, zyrtari grek ishte selinë e qeverisë ku u takua me kryeministrin Berisha.

Prapaskenat diplomatike të Greqisë dhe bindja e qeverisë shqiptare për t’i plotësuar tekat e Athinës dalin në pah nga kabllogramet e Ambasadës Amerikane
ku në një prej tyre thuhet se diplomacia greke u mundua fuqishëm që
bisedimet greko-shqiptare të mbaheshin sa më larg vëmendjes amerikane.Po
për këtë cështje një tjetër kabllogram dëshmon se marrëveshja për
kufirin është bërë nga qeveria në shkëmbim të ratifikimit nga ana e
Greqisë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit”

Top Channel