Tabulatet e Shkëlzenit në Prokurori

05/09/2011 10:45

Andrea Stefani – Rikthehen përsëri dyshimet se punishtja misterioze e
Gërdecit ka qenë biznes i drejtuar në prapaskenë nga Shkëlzen Berisha,
djali i Kryeministrit.

Dhe këtë herë janë rrëfime të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, ato që akuzojnë familjen kryeministrore. Rrëfimet, e bëra në një bisedë me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, janë pjesë u publikimeve nga “Wikileaks” të një numri kabllogramesh të ambasadës amerikane. Dhe ato nuk mund të anashkalohen thjesht me një deklaratë të Berishës sikundër ndodhi në rastin e publikimit të bisedës Diveroli-Trebicka. Berisha nuk mund të dalë e të thotë: fjalë mafiozësh! Sepse është shefi i Shtabit të Ushtrisë që akuzon. Ndërkaq pa u sqaruar kjo çështje, asnjë shqiptar normal, i majtë apo i djathtë, nuk mund të gjejë qetësi. Sepse është fjala për kriminalizimin e mundshëm të atyre që po qeverisin këtë vend. Simpatitë politike nuk hyjnë më në punë kur bëhet fjalë për barazi para ligjit dhe ndëshkim të krimeve, kushdo që të jenë autorët e tyre, qytetarë të thjeshtë apo kryeshtetarë, bij punëtorësh apo djem kryeministrash. Këtu hyn në lojë një ekzigjencë qytetare që nuk toleron krimin, kushdo që të jenë bartësit e tij. Ekzigjenca e shtetit ligjor, e barazisë të të gjithëve para ligjit.

* * *

Tashmë dihen akuzat e gjeneral Luan Hoxhës. Sipas tij, ka qenë vetë Shkëlzen Berisha njeriu që i ka bërë presion për të dërguar pa vonesë predha të kalibrit të lartë për demontim në Gërdec. Dhe s’mund të ketë dyshime që pikërisht akumulimi i një municioni të tillë atje, u bë një nga shkaqet e shpërthimit që vrau 27 njerëz, plagosi 300 të tjerë dhe rrënoi disa fshatra. Ndërkaq është e tmerrshme të mendosh se ndërsa Kryeministri Berisha deklaroi publikisht se nuk dinte gjë për punishtet e Gërdecit, të ketë qenë djali i tij pronar i fshehtë i këtij biznesi të përgjakshëm! Cili vend normal, cili popull, cilët njerëz, pavarësisht simpative politike apo urrejtjeve, do të pranonin ta linin qeverisjen e vendit, fatin e familjeve dhe fëmijëve të tyre në duart e një njeriu kaq të dyshimtë? Të jesh në krye të një qeverisjeje do të thotë të mos ketë asnjë fije dyshimi rreth ndershmërisë së Kryeministrit e jo më të ketë dyshime se familja e tij, e pse jo edhe ai vetë, janë përfshirë në një biznes që merr jetë qytetarësh e fëmijësh! Në fillim doli se baxhanaku i Kryeministrit (një nga viktimat ditën e shpërthimit) bënte inventarizuesin e arkave me municion që demontoheshin. Por Kryeministri tha se nuk dinte gjë që burri i motrës së gruas së tij punonte në Gërdec. Kur Diveroli deklaronte se afera e Gërdecit ishte mafioze dhe shkonte shumë lart, deri te djali i Kryeministrit dhe vetë Kryeministri, Berisha tha: fjalë mafiozësh. Tani edhe shefi i Shtabit rrëfen se pikërisht Shkëlzen Berisha paska qenë zemra e biznesit vrasës të Gërdecit, ku edhe shfrytëzohej pa mëshirë puna e fëmijëve. Çdo të thotë Berisha tani? Mund të thotë ç’të dojë, por pa dyshim ka humbur të drejtën morale të qeverisë. Dhe duhet të dorëhiqej nëse i ka mbetur qoftë edhe një sens i vogël drejtësie në ndërgjegje. Por nëse nuk e ka një mbetje të tillë humane do të këmbëngulë në pushtet pikërisht për t’u mbrojtur nga drejtësia.

* * *

Kryeministri doli përsëri dje për të deklaruar se te kabllogramet e “ëikileaks” ka gjetur thjesht një pasqyrë të përditshme të shtypit shqiptar. Por është fakt se rrëfimet e gjeneral Hoxhës para ambasadorit Uidhers lidhur me implikimin e birit të Kryeministrit në aferën e Gërdecit të zbardhura nga “ëikileaks”, nuk kanë qenë kurrë pjesë e “pasqyrës së shtypit”. “ëikileaks” po hedh në qarkullim informacione të klasifikuara ose sekrete, që asnjë media në botë, edhe ajo në SHBA, nuk mund të mos i shfrytëzojë, pavarësisht se Berisha digjet nga dëshira që ta komentojë një gjë të tillë si “antiamerikanizëm”. Por nuk ka bërë gjë tjetër veçse zbuloi edhe një herë koshiencën antimediatike që ky autokrat, tashmë edhe më i afishuar nga vetë komentet e rezervuara të amerikanëve, e trukon me aq vështirësi. Por duhet thënë se u tregua më dinak në gënjeshtër se ministri i tij Olldashi që tentoi t’i shpallte kabllogramet e “ëikileaks” si të falsifikuara. Të ishte kështu, e para që do i përgënjeshtronte do ishte ambasada e SHBA-së. Por kur e vërteta del në shesh amerikanët nuk e kanë as për traditë, por as nuk i lejon ligji dhe shteti i tyre të mbrohen duke hedhur gënjeshtra për ta inflantuar të vërtetën. Taktikë që Berisha dhe ministrat e tij po e çojnë deri në absurd sa më shumë del në shesh korrupsioni dhe përfshirja e tyre në krim. Prandaj ka pak rëndësi ç’thotë Berisha. Në Shqipëri ka ardhur momenti që drejtësia të veprojë, pavarësisht nga ajo që thonë, bëjnë apo nuk thonë politikanët. Duhet të veprojë, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve që ata bëjnë në drejtim të organeve të zbatimit të ligjit. Ky është thelbi i një sistemi oksidental dhe jo oriental. O tani o kurrë! E para gjë që kërkohet është që prokuroria të thellojë hetimin për Gërdecin duke sekuestruar tabulatet e bisedave telefonike të Shkëlzen Berishës. Nuk ka asnjë arsye, asnjë pretekst që të justifikojë mbajtjen e tyre sekret. Ky tashmë është një detyrim publik i prokurorisë. Publiku do të dijë, shqiptarët duhet të dinë nëse familja e Kryeministrit të tyre është e zhyer apo jo në aferën më të përgjakshme të tranzicionit. Dhe vetëm ato tabulate i vënë vulën çështjes, duke treguar nëse djali i Kryeministrit i ka telefonuar shefit të Shtabit apo jo, duke i dhënë urdhra sikur të ishte çuni i Gadafit. Ndërkaq, as vetë Kryeministri nuk ka pse të jetë kundër. Jo vetëm sepse pohon që i biri nuk ka gisht në këtë aferë, pra s’ka pse të druhet nga dalja e tabulateve. Por edhe për disa arsye të tjera. A nuk mburri aq shumë Berisha transparencën në rastin e zgjedhjeve të majit? Nuk besojmë që në rastin e të birit të dalë e të thotë që transparenca nuk është e mirë. Ndërkaq a nuk kanë kërkuar ai dhe njerëzit e tij, zbardhjen e tabulateve të disa gazetarëve në rastin e 21 janarit? Por përsëri, pavarësisht reagimit të politikës, vetëm një veprim energjik, guximtar dhe i pavarur i prokurorisë do të ishte hapi i parë për sqarimin përfundimtar të kësaj afere sa të errët aq edhe të përgjaktë të së djeshmes, por që po mbeti e pazbardhur dhe e pandëshkuar me drejtësi, do të jetë embrioni i krimeve të tjera dhe zhgënjimeve të nesërme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Madje edhe për aleatët ndërkombëtarë që vazhdojnë të regjistrojnë, rrinë e vështrojnë si ca yje të largët që s’kanë punë me këtë vend.

Marrë nga Gazeta Shqip

Top Channel