Procesi i Gërdecit “kopjon” videon e Metës

05/09/2011 19:30

Gjyqi i Gërdecit ka nisur me suprizat e radhës nga avokatët mbrojtës.

Duke ju referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë për dosjen Ilir Meta, në të cilin ekspertiza e amerikanit Glen Bart u konsiderua e pavlefshme, pasi eksperti ishte thirrur në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, avokati Gëzim Veleshnja kërkoi rrëzimin e të gjitha ekspertizave të kryera dhe riberjën nga e para.

Mes tyre është ekspertiza e ekpspertëve amerikanë ku përcaktohen shkaqet e shpërthimit në Gërdec, si edhe ekspertiza e faturës financiare mbi dëmet që solli tragjedia e 15 marsit 2008.

Më tej avokati kërkoi ekspertim hetimor për të saktësuar arsyet se përse ndodhi shpërthimi tragjik, që u mori jetën 28 personave dhe plagosi dhjetra të tjerë.

Zoti Veleshnja vijoi me kërkesat e tij duke këmbëngulur në thirrjen e atyre dëshmitarëve për të cilët prokuroria hoqi dorë t’i dëgjonte.

Për të gjitha kërkesat gjykata do të shprehet në seancën e radhës, ku vendimi më delikat pritet të jetë ajo mbi ekspertët, cka do të thotë se nëse kërkesa pranohet, procesi kthehet në pikën zero.

Top Channel