Gjithçka gati për superndeshjen e mbrëmjes së sotme për aventurën kualifikuese të Euro 2012-s.
Edhe paraditen e sotme përfaqësuesja franceze ka zgjedhur kodrat e liqenit për të shëtitur. Pas tyre janë afruar edhe një pjesë nga rreth 200 tifozët francezë që kanë mbërritur në Tiranë për ndeshjen.
Ndërkohë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, si kurrë ndonjëherë ka pasur një mësymje të televizioneve franceze dhe një parapërgatitje që nuk është parë ndonjëherë.
Gjithçka po përgatitet në mënyrë të denjë për një eliminatore me një skuadër kaq të madhe si Franca, një përfaqësuese ish-kampione e botës që përballet me një vend si Shqipëria e cila renditet rreth vendit të 50-të në klasifikimin e FIFA-s.
Kompanitë ndërkombëtare të basteve favorizojnë Francën për sfidën e sotme përballë Shqipërisë. Triumfi i francezëve
të drejtuar nga Laurent Blanc është kuotuar 1.37 ndërsa barazimi me
4.5. Ndërkohë fitorja e kuqezinjve të Kuzhes shihet si i pamundur dhe
kjo tregohet qartë në kuotimin e lartë. 8.75 është koeficienti i
suksesit të tanëve në Tiranë.
Gjelat janë në krye të grupit tonë me tetë pikë ndërsa Shqipëria qëndron prapa në klasifikim me 8 pikë, por që gjithsesi me mbështetjen e tifozerisë së zjarrtë në “Qemal Stafa” gjithçka mund të ndodhë, por rezultati i këtij takimi e fati i këtyre eliminatoreve për përfaqësuesen tonë vendosen sot në mbrëmje, në orën 21:00.
FSHF: Do te ndeshemi si te barabarte
Federata Shqiptare e Futbollit pak orë para ndeshjes së madhe Shqipëri-Francë deklaron se skuadra është e përgatitur për takimin, ndërsa shpreson për lojë të bukur dhe për rezultat pozitiv.
“Do të ndeshemi si të
barabartë me Francën. Të gjithë shqiptarët të jenë me zemër të bashkuar
për kombëtaren dhe kombin”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.
Ndërkohë
një ditë më parë trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, theksoi
se ekipi i tij do të ndeshet me një nga skuadrat më të mira në Europë,
por deklaron se kjo nuk e ndalon atë dhe të gjithë skuadrën kuqezi të
mendojnë për një rezultat pozitiv.
“Nuk mund të pretendojmë që
ndaj Francës të kemi një dominim të lojës dhe presim që ata të mbajnë
topin më shumë se ne. Por kjo nuk do të
thotë që ne vetëm do të mbrohemi, ne do të mundohemi ta kapim në
kundërsulm. Vendosja e Currit në mesfushë është një frymëmarrje për ne,
pasi ai është agresiv, mund të futet në duel dhe mund të rrezikojë në
zonën kundërshtare me topat e lartë. Kjo zgjedhje është edhe për shkak
të formës së mirë që po kalon Teli”, shprehet Kuzhe.
Ndërsa
trajneri i Francës Loren Blank, në konferencën që ka dhënë për mediat
shqiptare u shpreh se ekipi shqiptar i ka të gjitha shanset për t’u
kualifikuar.
Megjithë këtë respekt, sigurisht që objektivi i tyre
për këtë ndeshje janë tre pikët që do t’i japin mundësinë për të
vazhduar qëndrimin në krye të grupit.
“Përgatitjet tona janë
gjithmonë për fitore, jo vetëm me Shqipërinë por me këdo. Kjo është
gjëja më e thjeshtë për të thënë paraprakisht. Edhe barazimi është pjesë
e ndeshjes. Ka takime që barazimi konsiderohet fitore, por ka ndeshje
që barazimi konsiderohet si humbje”, shprehet trajneri i përfaqësueses
franceze.
Top Channel