Putin nxjerr shpatullën nga vendi

26/08/2011 11:55

Kryeministri rus Vladimir Putin ka nxjerrë sërish shpatullën e tij përpara telekamerave, këtë herë për t’u mjekuar pas një dëmtimi të lehtë të ligamenteve që ka pësuar gjatë një seance xhudoje.

Kreu i qeverisë, sic raportojnë mediat ruse dhe ueb sajti i tij, është kontrolluar nga një mjek në një spital provincial në qytetin e Smolenskut, në Rusinë perëndimore.

Putin është mjekuar nga një zëvendësdrejtor dhe një specialist, të cilët i kanë injektuar një qetësues dhe i kanë këshilluar përdorimin e një pomade.

“Vladimir është në formë të shkëlqyer fizike, ai gëzon shëndet të plotë dhe pas pak ditësh do ta harrojë këtë dëmtim”, ka deklaruar një prej mjekëve.

“Pavarësisht se i dhimbte shpatulla, ai nuk tregoi asnjë shenjë vuajtjeje. Sikur të ishin të gjithë pacientët kështu”, ka vijuar mjeku.

Ngjarja është mediatizuar së tepërmi, ashtu sikurse ndodh në të tilla raste, sidomos në prag të zgjedhjeve presidenciale ku Putin duket se synon të marrë pjesë.

Top Channel