Obama dhe Bush, bashkë në Ground Zero

25/08/2011 21:55

Barack Obama dhe George W. Bush do të jenë së bashku në Ground Zero për 10-vjetorin e tragjedisë së 11 shtatorit, përkujtimi i parë pas vrasjes së arkitektit të saj, sheikut të terrorit Osama bin Laden.

Do të jetë kulmi i një dite, të cilën nuk do ta kujtojë vetëm Amerika, por e gjithë bota. Të gjithë do të përkujtojnë ato 102 minuta që ndryshuan botën.

Rrëzimin e Kullave Binjake nga terroristët e Al Kaedës, që shkaktoi vdekjen e 2752 personave të 90 kombësive të ndryshme. Mes viktimave, edhe 343 zjarrfikës dhe 60 policë.

Gjithashtu, atë ditë pati edhe 127 viktima nga dy avionët e tjerë të marrë peng, njëri prej të cilëve u përplas me Pentagonin, ndërsa tjetri u rrëzua në Pensilvani.

Për të kujtuar sakrificën e këtyre personave, të dielën e 11 shtatorit, aty ku ngrihej World Trade Center, nuk do të ketë fjalime zyrtare por vetëm poezi.

Është ky rregulli i vendosur nga “i zoti i shtëpisë”, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

Top Channel