Në qershor barnat 5.5 % më shtrenjtë

26/07/2011 08:05

Vendosja e TVSH-së për medikamentet mjekësore në Shqipëri në shkurt të këtij viti shkaktoi një rritje të çmimeve të këtyre mallrave me 5.5 për qind, ndërsa besohet se çmimet do të vijojnë të rriten edhe gjatë muajve të ardhshëm.

Qeveria vendosi Tatim mbi Vlerën e Shtuar për medikamentet për herë të parë në masën 10 për qind dhe ky vendim hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në muajt shkurt dhe mars, menjëherë pas vendosjes së TVSH-së, pati një rritje të çmimeve të medikamenteve me 8.3 dhe 8.8 për qind në krahasim me një vit më parë.

Në qershor, inflacioni i këtij grupi u ngadalësua në 5.5 për qind. Qeveria pati premtuar se vendosja e TVSH-së nuk do të shkaktonte rritje çmimesh për shkak se kostoja shtesë do të amortizohej në zinxhirin e tregtisë.

Por ky skenar doli i pavërtetë. Nga ana tjetër, megjithëse çmimet u rritën, shumica dërrmuese e shqiptarëve përfitojnë nga skema e rimbursimit të ilaçeve e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Shpenzimet e kësaj skeme gjatë këtij viti janë rritur me rreth 11 për qind dhe për gjashtëmujorin e parë qenë 12.9 miliardë lekë.

Në këtë pikë, duket se reforma në tregun e ilaçeve thjesht sa ka nxjerrë paratë nga njëri xhep i buxhetit të shtetit për t’i futur në xhepin tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA