Gjykata e Lartë, zgjedhja e anëtarëve

10/06/2011 20:15

Disa muaj më parë, komisioni i ligjeve i kërkoi Parlamentit të pezullojë proçedurën e votimit për dhënien ose jo të pëlqimit për 7 dekrete të presidentit të Republikës, katër prej të cilëve ishin kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe 3 për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Megjithëse, me shumicë votash demokratët në komisionin e ligjeve kanë propozuar rrëzimin për shumicën e dekreteve të presidentit, përpara se të merrte vendimin, mazhoranca i kërkoi interpretim Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e disa pikave të Kushtetutës, duke përfshirë 5 çështje.

Pas disa mujash Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e saj përfundimtar, duke pranuar të japë vendim vetëm prej dy prej neneve.

Për nenet e tjera, gjykata ka vlerësuar se ato janë çështje që ose ka bërë më herët interpretim, siç është rasti i ushtrimit të kompetencës thelbësore të presidentit në nxjerrjen e dekreteve për anëtar të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe kompetencës po ashtu thelbësore të Parlamentit për dhënien ose jo të pëlqimit nga Parlamenti. Ose se 2 prej çështjeve të ngritura nga mazhoranca nuk i përkasin juridiksionit të saj, pasi në thelb kanë të bëjnë me paqartësitë e ligjit dhe nuk ka kërkesë për të zgjidhur mosmarrëveshje konkrete mes insitucioneve.

Megjithatë, dy nenet e Kushtetutës për të cilat gjykata ka pranuar të bëjë interpretim ishin edhe ato më të rëndësishmet.

Njëra ka të bëjë me atë se çfarë duhet të cilësohet kualifikim i lartë për kandidatët që dekretohen nga Presidenti.

Në këtë pikë Gjykata Kushtetuese ka vendosur që gjatë ushtrimit të kompetencave për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës dhe Parlamenti, duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore për të siguruar një përbërje cilësore të kësaj gjykate.

Përsa i përket kërkesës tjetër të demokratëve, të cilët kishin vërejtur se prej disa kohësh në Gjykatën Kushtetuese është shkelur parimi kushtetues i përtëritjes së saj me një të tretën e anëtarëve çdo tre vjet dhe disa gjyqtarë po qendrojnë disa vjet më gjatë në detyrë, Gjykata Kushtetuese ka çmuar se ky problem qendron.

Por në vendim arsyetohet se ky nuk është një problem i Kushtetutës, ku mund të ndërhyjë me interpretim kjo gjykatë, por është problem i ligjit.

Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese i njeh Kuvendit të drejtën dhe detyrimin për të gjetur dhe zbatuar mekanizmin e përshtatshëm që do të riparonte këtë defekt. Por, deri atëherë, kur Kuvendi të miratojë këtë ligj, që kërkon patjetër konseusin dhe votën e opozitës, Gjykata Kushtetuese thotë se ajo do të vazhdojë të funksionojë me gjyqtarët që u ka mbaruar mandati për të ruajtur shumicën e nevojshme prej 2/3 për të marrë vendimet.

Top Channel