Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmërinë e numërimit të votave për kryebashkiak, të gjetura në kutitë e tjera, përveç reagimit krejt të kundërt të të dy kandidatëve për Tiranën, ka sjellë edhe reagimin e trojkës së ambasadorëve.
Eugen Wolfarth i OSBE-së, Alexander Arvizu i Shteteve të Bashkuara dhe Ettore Sequi i Bashkimit Europian publikuan paraditen e së dielës një deklaratë të përbashkët, ku dhanë disa mesazhe, pasi, siç shprehen në deklaratë, u njohën me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore.
Mesazhi i parë i trojkës së ambasadorëve është se ata vlerësojnë si thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak.
Mesazhi i dytë në deklaratën e trojkës së ambasadorëve është se ata e vlerësojnë “po aq të rëndësishme që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar.
Në deklaratën e përbashkët të tre ambasadorëve ka dhe një mesazh të fundit, ku ata “shprehin besimin se më 8 maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre dhe se siç thotë trojka e ambasadorëve, ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partite politike.
Top Channel