Është qyteti që gjendet në veri-lindje të Shqipërisë, kufizohet nga Kosova e Maqedonia në lindje, Kukësi në veri, Mirdita në Perëndim dhe Bulqiza në jug. E ngritur mbi terren malor, Peshkopia është pagëzuar me emrin “Qyteti i Blirit”.
Qyteti i 20 mijë banorëve njihet për burrat e shquar: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Iljaz Pashë Dibra, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Vehbi Dibra-Agolli, kryetari i Pleqësisë në shpalljen e Pavarësisë dhe Don Nikollë Kacorri, nënkryetar i Qeverisë së Ismail Qemalit. Edhe pse jetuan në periudha të ndryshme, i shërbyen bashkimit politik të vendit duke përfaqësuar elitën drejtuese shqiptare të asaj kohe.
Kjo elitë dibrane udhëhiqet nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, zotësia dhe burrëria e të cilit u shoqërua nga mëshira dhe butësia. “Luftetari i Krishtit”, siç edhe e titulloi veten ai, falë zellit të tij për besimin kristian, Skënderbeu ka sot pasardhësit e tij. George Maria Castriota Scanderbeg është trashëgimtar zyrtar i shpallur nga qeveria e vendit fqinj dhe më 5 qershor, me këtë atribut dhe mision të veçantë, ai viziton Peshkopinë.
Në qytet jetojnë tre komunitete, ai mysliman, katolik dhe ortodoks. Martesat mes tyre dhe bashkëjetesa e qetë u perifrazua e tillë 300 vjet më parë. “Shqiptarët të premten shkojnë në xhami dhe të dielën në kishë”.
Kur bëhet fjalë për objekte, Peshkopia është pasuri e vërtetë. Xhamia e Allajbegisë në Maqellarë, Kisha e Shën Sotirit në Kërçishtë, kulla e Zunës në Sohodoll, banesat e Mustafa Shehut në Zerqan, Ura e Vashës dhe Kalaja e Grazhdanit, në fshatin me të njëjtin emër, janë disa prej monumenteve të rëndësishme në zonën përgjatë rrjedhës së Drinit.
Pozita gjeografike e qytetit ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e tij, me ngjitje dhe zbritje në periudha të ndryshme. Prej antikitetit ka funksionuar rruga Durrës-Fusha e Tiranës-Dibër, sot njihet me emrin “Rruga e Arbërit”. Kompleksi balnear i ujrave terminal dëshmon rolin e këtij pozicioni. 2 kilometra larg Peshkopisë, kompleksi, sipas mjekut Mentor Prifti, funksionon me 44 kabina personale dhe gjashtë kabinete mjekësore. Përgjatë dy sezoneve, të ardhurat vjetore në qendrën kurative kapin shifren e 130 milionë lekëve.
Qyteti është pikë e rëndësishme për të vizituar Parkun Kombëtar të Lurës dhe majën më të lartë të Shqipërisë, Korabin. Vizitorët habiten nga kreshtat e gurit dhe formacionet e gipsit të veshura me bimësi.
Dhe në këtë pasion alpinizmi, që për të huajt nuk njeh moshë, udhëtimi drejt Everestit shqiptar, shoqërohet me gatimet e zonës.
“Jufkat janë ushqim tradicional i zonës. Po ashtu edhe sheqerparja, që zakonisht ne e përdorim në festat familjare”, thotë një guzhiniere e zonës.
Kjo ishte Peshkopia qytetare në mikpritje. Vendasit thonë se duan “në të mirë dhe në të keq” dhe ne u besojmë atyre, kur shohim se si i janë rikthyer tokës dhe kur mundohen të tregojne se dita-ditës po përpiqen për zhvillimin modest të Peshkopisë.
Top Channel