Protesta e të rinjve në Spanjë

21/05/2011 03:15

Mijëra të rinj spanjollë kanë ngritur cadrat në qendrat dhe rrugët kryesore të qyteteve në vend, si formë proteste ndaj krizës ekonomike dhe papunësisë kur vendi po u afrohet zgjedhjeve lokale.

Sipas policisë vendase, në sheshin “Puerta del Sol” në Madrid, u grumbulluan mbi 25 mijë të rinj të cilët në mesnatë protestuan simbolikisht kundër krizës ekonomike dhe papunësisë duke zënë gojën me ngjitëse.

Ndërkohë, Gjykata Supreme spanjolle refuzoi një kërkesë për t’i shpallur të jashtëligjshme këto forma të protestës, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e medias duke lënë në hije aktivitetet elektorale të partive të mëdha.

Niveli i papunësisë në Spanjë llogaritet në 21 përqind, shifra më e lartë ndër vendet e eurozonës. Ndërsa shifra e të rinjve të papunë llogaritet në mbi 40 përqind.

Ditën e dielë, votuesit spanjollë në mbi 8 mijë qytete do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeveritarët e rinj lokalë, e bashkë me ta edhe 13 nga 17 në total, presidentë të rajoneve.

Sondazhet e para paraqesin një fitore të thellë të së djathtës konservatore ndaj socialistëve në pushtet. Për këta të fundit, këto zgjedhje shihen si një test përballë zgjedhjeve të përgjithshme të cilat duhet të mbahen jo më vonë se muaji mars i 2012-s.

Top Channel