Tërmeti në Turqi, rritet bilanci i viktimave

20/05/2011 11:05

Rritet bilanci i të vdekurve dhe i të lënduarve nga lëkundja e fortë e tërmetit që tronditi Turqinë veri-perëndimore.

Lajmin e ka dhënë agjencia zyrtare Anadolli, sipas të cilës tre persona kanë vdekur dhe 100 të tjerë janë plagosur nga tërmeti me magnitudë 5.9 ballë.

Epiqendra është regjistruar nga sizmiografët e Institutit të Kandillit në Stamboll, pranë qytezës Simav, një lokalitet i provincës së Kytahjas, 310 kilometra larg kryeqytetit Ankara. Lëkundja e parë u regjistrua në orën 21:15 me orën shqiptare dhe është ndjekur nga disa lëkundje të tjera me intensitet më të vogël.

Tërmeti ka shkaktuar panik në zonën e Kytahjas dhe televizioni ka folur për persona që kanë kaluar natën nëpër rrugë. Linjat telefonike të zonës së goditur nga kjo ngjarje janë shkëputur duke penguar komunikimin telefonik të këtyre banorëve me pjesën tjetër të Turqisë. Sipas Associated Press, dëmtimet në ndërtesa janë shkaktuar jo prej fuqisë së tërmetit, por sepse godinat nuk janë ndërtuar duke respektuar masat antisizmike.

Top Channel