Netanyahu kundër Obamës

20/05/2011 21:40

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mbërriti për bisedime me presidentin amerikan, Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Dy udhëheqësit kanë ide të ndryshme për proçesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Obama thotë se ardhmja e shtetit palestinez duhet të bazohet në kufijtë që ekzistonin përpara luftës së vitit 1967.

Ai tha se shkëmbimet për të cilat është rënë dakord nga të dy palët do të ndihmonin në krijimin e një Palestine të suksesshme dhe një Izraeli të sigurt.

Por për kryeministrin izraelit, kufijtë e para vitit 1967 janë të papërligjura.

Rreth 500 mijë izraelitë jetojnë në vendbanime në Bregun Perëndimor, që ndodhet jashtë këtyre kufijve.

Vendbanimet janë të paligjshme – sipas ligjit ndërkombëtar – megjithëse Izraeli e kundërshton këtë.

Gjatë një fjalimi të rëndësishëm të enjten, për të ardhmen e politikës amerikane, në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan Barak Obama tha: “SHBA besojnë se negociatat duhet të çojnë në krijimin e dy shteteve”.

Shefi i Ligës Arabe, Amer Musa i bëri thirrje presidentit amerikan të mbetet i angazhuar për një shtet palestinez, i cili të krijohet mbi kufijtë e viteve 1967.

Edhe katërshja për paqen në Lindjen e Mesme, ku bën pjesë Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara shprehu mbështetjen më të madhe për planin e paqes së presidentit Obama.

Top Channel