Izraeli mbyll Lartësirat e Golanit

20/05/2011 11:45

Me një masë të menjëhershme dhe të paprecedentë, autoritetet izraelite
të sigurisë kanë shpallur sot “zonë ushtarake të mbyllur” ekstremin
verior të lartësive të pushtuara të Golanit.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave masa në fjalë do të qendrojë në fuqi deri natën vonë.

Sipas faqes së internetit “Ynet”, policia izraelite i lejon hyrjen në këtë zonë vetëm banorëve të përkohshëm, që janë kryesisht me origjinë siriane dhe izraelitë.

Vendimi në fjalë vjen disa orë pasi presidenti amerikan Barack Obama shpalli planin e ri për Lindjen e Mesme, që u refuzua nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Konkretisht, Netanyahu ka pranuar angazhimin e presidentit Obama për paqen, por ka refuzuar tërheqjen në territoret e shënuara në vitin 1967.

Top Channel