FMN, “të fortët” kërkojnë një evropian

19/05/2011 16:30

Zërat me peshë në Evropë deklarojnë se një tjetër evropian duhet të marrë drejtimin e FMN-së, pas dorëheqjes së Dominiques Strauss Kahn.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i KE, Jose Manuel Barroso kanë qenë të parët që kanë reaguar pas debateve nëse kreu i ri i Fondit duhet të vijë nga një vend i zhvilluar.

Merkel ka deklaruar se zgjedhja e një evropiani është e nevojshme për të zgjidhur problemet ekonomike të eurozonës.

“Sigurisht që vendet në zhvillim kanë të drejtën e tyre për të zënë vendin e kreut të FMN-së apo Bankës Botërore. Por mendoj se në situatën aktuale, me problemet serioze që ka euro, do të ishte më i favorshëm një kandidat evropian”, ka pohuar Merkel.

Ndërsa një zëdhënëse e zotit Barroso citohet të ketë thënë se, është e natyrshme që shtetet anëtare të BE-së, si vendet me kontributin më të madh tek Fondi, të bien dakord për një kandidat të fuqishëm dhe konkurrues që mund të sigurojë mbështetjen e anëtarëve të FMN-së.

Aktualisht, kandidatët më të përfolur për zëvendësimin e Dominique Strauss Kahn janë:

Mohamed El-Erian, Egjipt

Stanley Fischer, Izrael

Gordon Brown, Britani

Kemal Dervis, Turqi

Peer Steinbrueck, Gjermani

Montek Singh Ahluwalia, Indi

Christine Lagarde, Francë

Agustin Carstens, Meksikë

Trevor Manuel, Afrikë e Jugut

Axel Weber, Gjermani

Top Channel