Tripoli, bombardime të reja

12/05/2011 12:55

Katër raketa të tjera kanë goditur kompleksin e Muamar Gedafit në Tripoli, duke shkaktuar të paktën dy të vdekur.

Pas sulmit, sirenat gjëmuan në qendrën e kryeqytetit libian dhe dy autoambulanca u nisën me urgjencë drejt Bab al-Aziziya-se.

Sipas CNN-it, nuk dihet ende cili ishte burimi i sulmit.

Zyrtarët libianë kanë shoqëruar gazetarët e huaj në vendin e goditur, ku ngriheshin akoma shtëllunga tymi.

Trupat e dy viktimave u dërguan në morgun e spitalit aty pranë.

Të paktën 27 vetë me probleme të frymëmarrjes për shkak të tymit, kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Televizioni shtetëror libian, ndërkohë ka transmetuar pamje të kolonel Gedafit, e para shfaqje e tij në publik prej mëse dy javësh.

Zyrtarët pretendojnë se videoja është filmuar të mërkurën, por kjo nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Gedafi nuk ishte parë meqë prej 30 prillit, kur bombardimet e NATO-s vranë djalin e vogël të tij dhe tre nipër.

Më herët, rebelët deklaruan se kanë marrë kontrollin e aeroportin të Misratës në perëndim, duke i detyruar forcat e Gedafit atje të tërhiqen, ndërsa u kanë marrë trupave të regjimit edhe armatime të rënda.

Kryengritësve u ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara edhe ngarkesa e parë e ndihmave në ushqime të gatshme, si ato që përdor ushtria amerikane.

Të tjera ndihma, këtë herë me ilaçe, uniforma dhe tenda, pritet të mbërrijnë shpejt.

Të gjitha këto janë pjesë e paketës 25 milionë dollarëshe të asistencës për rebelët libianë, që shtëpia e bardhë aprovoi në 26 prill.

Top Channel