Holder: Bin Laden nuk u ekzekutua

12/05/2011 15:40

Prokurori i përgjithshëm i SHBA, Eric Holder ka deklaruar se sulmi i kryer në rezidencën e Osama bin Laden, ku lideri i Al Kaedës mbeti i vrarë, “nuk ishte një ekzekutim”.

Holder ka thënë për BBC se operacioni ishte një mision i tipit “vrit ose kap” dhe se dorëzimi i Bin Laden do të ishte pranuar nëse do të ishte ofruar.

“Mbrojtja e komandove që kryen operacionin ishte elementi kryesor në mendjen tonë”, ka pohuar numri një i akuzës në Shtetet e Bashkuara.

Bin Laden u qëllua për vdekje më 2 maj në rezidencën e tij në Abotabad të Pakistanit. Sulmi ka shkaktuar një seri reagimesh në Pakistan.

Ditën e sotme, disa qindra mbështetës të ish-kryeministrit Nawaz Sharif u mblodhën në Abotabad duke brohoritur parulla anti-amerikane.

“Poshtë presidenti Obama, poshtë kryeministri Zardari”, kanë brohoritur manifestuesit, të cilët kanë ngritur flamurin e gjelbër të partisë së Sharif.

Ky i fundit ka kërkuar një hetim gjyqësor mbi sulmin e forcave amerikane, që nga shumë zyrtarë pakistanezë cilësohet si shkelje e sovranitetit.

Top Channel