Dënohet gardiani i kampit të përqendrimit

12/05/2011 17:30

Gjykata e Landit të Mynihut ka dënuar me pesë vjet burg ish-rojen e kampit të përqëndrimit, John Demjanjuk, si bashkëpunëtor në vrasjen e mijëra personave.

Por pavarësisht dënimit, 91-vjecari do të lirohet për shkak të moshës së tij, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Demjanjuk mohon të ketë shërbyer si gardian në kampin e Sobiborit, në Poloni, dhe duke u hequr si rob lufte i nazistëve e përshkruante veten si një viktimë të tyre.

Por në vendimin e gjyqtarit thuhet se, Demjanjuk, i lindur në Ukrainë, ka qenë pjesë e aparatit pushtetar të nacionalsocializmit dhe ka marrë pjesë vullnetarisht në vrasjen e 28.000 hebrenjve.

Procesi i tij gjyqësor zgjati një vit e gjysmë, por Demjanjuk ka qenë nën arrest që prej ekstradimit nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2009.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara ku punoi për një kohë të gjatë në një fabrikë të prodhimit të makinave dhe mori nënshtetësinë amerikane. Demjanjuk ka shërbyer vërtet në ushtrinë e kuqe deri në 1942-shin, kur u zu rob nga gjermanët.

Por prokurorët argumentuan se ai ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete naziste dhe se kishte marrë pjesë vullnetarisht në vrasjen masive të mijëra hebrenjve në Sobibor, ku të paktën 250.000 vetë llogaritet të kenë gjetur vdekjen në dhomat e gazit.

Top Channel